Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë vendim për masë të përkohshme për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në aktgjykimin e nxjerrë në orët e mbrëmjes, Kushtetuesja ka pezulluar çdo veprim dhe vendim të deputetëve të zgjedhur në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

“TË CAKTOJË ex officio masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor”, thuhet në vendim.

Sipas po të njëjtit vendim, masa e përkohshme do të hyjë në fuqi më 27 korrik e do të zgjasë deri më 8 gusht, kur pastaj pritet që Gjykata Kushtetuese të nxjerrë një vendim pas tri kërkesave që kanë shkuar në adresë të saj.

“Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në një vendim të një muaji më parë caktoi afatin 30 ditor, e në rastin konkret 26 korrikut si afatin brenda të cilit duhej të konstituohej Kuvendi.

Masën e përkohshme e kishte kërkuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila të martën iu drejtua Gjykatës Kushtetuese edhe më kërkesën për sqarimin e pasojave juridike në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit.

Krahas kërkesës së presidentes, në Kushtetuese kanë shkuar edhe dy kërkesa tjera nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës që kanë kërkuar vlerësim të kushtetushmërisë së vendimit për komisionin e fshehtë. Këto kërkesa i ka bashkuar Gjykata Kushtetuese.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill e nuk ka përfunduar për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së 61 votave që i duhen Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare.

Përveç kësaj, Lëvizja Vetëvendosje insiston edhe në votimin e fshehtë, gjë që e refuzojnë partitë e tjera.

Top Channel