
Dy persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh në afërsi të qytetit të dytë më të madh të Qipros, Limassol, ndërsa autoritetet njoftojnë se temperaturat kanë arritur deri në 44°C dhe era e fortë ka përhapur me shpejtësi flakët.
Sipas policisë, trupat e djegur të dy viktimave u gjetën në një makinë të përfshirë nga zjarri që shpërtheu pasditen e së mërkurës në fshatin Malia, në kodrat mbi Limassol.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se dy persona janë shtruar në spital me djegie të rënda, ndërsa 16 të tjerë janë trajtuar për lëndime më të lehta. Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Andreas Kettis, tha se zjarri ka përfshirë 100 kilometra katrorë, ndërkohë që “nuk ka më fronte aktive”, por vazhdojnë “shpërthime të forta” në zona të ndryshme.
Qeveria ka shpallur alarm për temperatura ekstreme, ndërsa më shumë se 250 zjarrfikës dhe 75 mjete janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Janë kërkuar gjithashtu ndihma nga vendet fqinje – Jordania ka vënë në dispozicion dy avionë, ndërsa edhe Spanja pritet të dërgojë të tjerë. Qipro përballet çdo vit me zjarre gjatë verave të nxehta dhe të thata.
Në vitin 2021, një zjarr në rajonin e Larnakës u mori jetën katër punëtorëve egjiptianë.
Top Channel