Prej disa orësh lugina në Delvinë në flakë! Dy helikopterë dhe disa forca zjarrfikëse në tentativë për shuarjen e zjarrit

24/07/2025 16:27

Një zjarr i përmasave të mëdha po djeg prej orësh sipërfaqe të gjera me kullota në zonën e luginës së Kalasës, pranë Delvinës.

Flakët kanë përfshirë tashmë disa plantacione me drurë frutorë dhe janë duke iu afruar rrezikshëm masiveve me ullinj në afërsi të fshatit Fushë-Vërri.

Një nga drejtimet e përhapjes së zjarrit është faqja e malit të Gjerë, drejt qafës së Skërficës, pranë rrugës nacionale Kardhiq – Delvinë, ndërsa një tjetër krah i flakëve po avancon drejt jugut. Era po favorizon përhapjen e zjarrit, i cili dyshohet se është i qëllimshëm.

Ndërhyrja nga toka paraqitet shumë e vështirë për shkak të terrenit të thepisur kodrinor dhe malor. Për këtë arsye, operacioni për frenimin e përparimit të flakëve po mbështetet edhe nga ajri, ku janë angazhuar dy helikopterë.

Disa dhjetëra forca zjarrfikëse janë në terren, ndërkohë që është kërkuar edhe ndihma e banorëve të fshatrave Kalasë, Tatzat, Fushë-Vërri dhe Vanë për të mbështetur përpjekjet për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë, dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe hetimet për përcaktimin e shkakut të tij kanë nisur.

Top Channel