“Përpjekje mizore për të heshtur kritikat”, akuza ndaj Arabisë Saudite: Aktivistët po ndalohen të dalin jashtë shtetit

24/07/2025 12:43

Arabia Saudite po përdor ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit si një mjet të ri dhe represiv për të heshtur zërat kritikë dhe për të shtypur çdo formë disidence, paralajmërojnë aktivistët për të drejtat e njeriut.

Sipas raportimeve, dhjetëra qytetarë, përfshirë aktiviste të njohura për të drejtat e grave dhe anëtarë të familjeve të tyre, janë duke përjetuar kufizime të gjata udhëtimi – ndonjëherë të panjoftuara zyrtarisht – në atë që përshkruhet si një formë moderne e kontrollit politik dhe social, shkruan Guardian.

Ndër të ndaluarat është edhe Loujain al-Hathloul, një figurë e rëndësishme e lëvizjes për të drejtën e grave për të drejtuar automjetin në Arabinë Saudite, si dhe Maryam al-Otaibi, një nga tri motrat që janë përballur me presione për shkak të aktivizmit të tyre. Kufizimet e vendosura ndaj tyre shpesh shtrihen edhe tek familjarët e afërt, duke i kthyer këto masa në një formë dënimi kolektiv.

Paradoksi, sipas organizatës për të drejtat e njeriut ALQST, qëndron në faktin se këto masa represive po zbatohen ndërkohë që Arabia Saudite po shfaqet në skenën ndërkombëtare si një vend i hapur ndaj turizmit dhe kulturës globale – përfshirë përgatitjet për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2034.

“Arabia Saudite është kritikuar ashpër për burgosjen e disidentëve dhe motrës sime, Loujain. Ndalimet e udhëtimit janë bërë mjeti më i lehtë për të kontrolluar aktivistët pa krijuar zhurmë ndërkombëtare,” tha Lina al-Hathloul, motra e Loujain dhe vetë një aktiviste.

Ajo shton se këto ndalime nuk janë thjesht një mënyrë për të heshtur individët, por edhe për të frikësuar dhe izoluar rrjetin e tyre shoqëror dhe familjar. “Kjo është një taktikë sistematike për të zhdukur zërat kritikë pa i kthyer domosdoshmërisht pas hekurave,” tha ajo.

Sipas ALQST, një listë me të paktën 20 individë të ndaluar për të udhëtuar është bërë publike, por numri real besohet të jetë shumë më i lartë. Shpesh ndalimet nuk shpallen nga gjykatat, por bëhen të ditura vetëm kur personi përpiqet të largohet nga vendi dhe ndalohet në kufi pa asnjë shpjegim të qartë.

Në rastin e Loujain al-Hathloul, ajo u dënua me burg dhe u lirua me kusht në vitin 2021. Gjykata i kishte vendosur ndalim udhëtimi për 2 vjet e 10 muaj, që përfundonte më 12 nëntor 2023. Megjithatë, që nga ajo datë, ajo ende nuk është lejuar të udhëtojë dhe nuk ka marrë asnjë njoftim të ri nga autoritetet.

“Ata mund të jenë të lirë fizikisht, por jetojnë në autocensurë të vazhdueshme. Janë të frikësuar, të mbikëqyrur dhe të paaftë për të ndarë publikisht përvojat e tyre,” tha Lina.

Në përgjigje të kërkesave të OKB-së, autoritetet saudite mohuan çdo abuzim, duke thënë se kufizimet janë në përputhje me vendimet gjyqësore përkatëse.

Por organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut theksojnë se një numër në rritje aktivistësh dhe disidentësh po mbahen nën kontroll pa ndonjë proces transparent ligjor – një zhvillim që vë në pikëpyetje sinqeritetin e përpjekjeve të Arabisë Saudite për t’u paraqitur si një vend më i hapur dhe tolerant.

Top Channel