Përfundon mandati i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Xhafaj: E përmbushëm qëllimin!

24/07/2025 13:10

Kreu i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, deklaroi sot zyrtarisht përfundimin e afatit të kësaj strukture parlamentare më 30 korrik 2025.

Në 14 muaj, ky komision i ngritur posaçërisht pas shumë polemikave dhe i fokusuar për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit, sipas Xhafajt ka hartuar dy dokumente të rëndësishme kombëtare.

I pari është dokumenti analitik me 700 faqe dhe i dyti Plani Kombëtar i Veprimit, që do t’i shërbejë edhe qëllimit për negociatat e Shqipërisë me BE dhe integrimin e vendit, ku përfshihet përmirësimi i mëtejshëm i punës në luftën kundër korrupsionit.

I kritikuar nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga ambasadori i BE në Tiranë dhe dokumentet e Komisionit Europian për zbatimin e ligjit, Xhafaj tha se komisioni nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për reformën në drejtësi dhe në asnjë faqe të dokumentit analitik nuk gjendet një masë apo ndërhyrje e tillë e propozuar.

Ky komision ka funksionuar vetëm me përfaqësues nga mazhoranca, pasi opozita refuzoi të merrte pjesë, ndërsa Bashkimi Europian vuri si vijë të kuqe ndërhyrjen në Reformën në Drejtësi që u miratua në vitin 2016.

Për sa i përket të ardhmes së veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj tha se duke u mbështetur në diskutimet e deritanishme, Rezolutën e Kuvendit dhe masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e domosdoshme që veprimtaria të vazhdojë përmes një komisioni ose nënkomisioni parlamentar të përhershëm, apo një strukture institucionale të miratuar nga Parlamenti.

Xhafaj: Komisioni me dokumentet e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë poblematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit, thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi.

Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi kryesor i komisionit ka qenë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvete dhe veçanërisht dokumentet që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarde europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese.

Dokumenti Analitik për të tre fushat: Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumente, analiza e raporte të ndryshme.

Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë BE. Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit.

Top Channel