Pamje të rënda/ Gjendet i rrëzuar avioni me 49 persona që humbi në Rusi! Shanse të vogla për të mbijetuar, mes pasagjerëve edhe fëmijë

24/07/2025 10:26

Aeroplani me 49 persona që pak orë më parë humbi nga radarët në Rusi, është gjetur i rrëzuar në shpatin e malit pranë aeroportit Tynda, nga ekipet e shpëtimit.

Sipas asaj që raportojnë zyrtarët lokalë, kërkimet për të mbijetuarit vazhdojnë edhe pse shanset që të ketë janë tepër të vogla.

Ministria lokale e emergjencave tha se avioni An-24, i operuar nga linja ajrore Angara Airlines me seli në Siberi, u zhduk nga radarët ndërsa po i afrohej destinacionit të tij në Tynda, një qytet i largët në rajonin Amur në kufi me Kinën.

Autoritetet thanë se pjesë të rrënojave që digjeshin u zbuluan 15 km larg aeroportit Tynda në një shpat mali.

Mediat ruse publikuan pamje që tregonin tym të dendur që ngrihej mbi një pyll të dendur në vendin e përplasjes.

Guvernatori rajonal, Vasily Orlov, tha se sipas të dhënave paraprake, në bord kishte 43 pasagjerë, përfshirë pesë fëmijë, dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

“Të gjitha forcat dhe mjetet e nevojshme janë vendosur për të kërkuar aeroplanin”, shkroi ai në Telegram.

Mosfunksionimi dhe gabimi njerëzor po konsideroheshin si shkaqe të rrëzimit të avionit në Tynda, tha komiteti hetimor i transportit të vendit.

An-24 është një avion rajonal me dy turbohelikë i projektuar nga Byroja e Dizajnit Antonov e Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 1950. I njohur për qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tij për të operuar nga pistat e pashtruara, ai u përdor gjerësisht në rajone të largëta të Rusisë dhe Azisë qendrore, shkruan Guardian.

Top Channel