
Në një letër drejtuar Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës në muajin shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Macron tha në një postim në platformën X se do ta formalizojë këtë vendim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. “Urgjenca sot është të ndalet lufta në Gaza dhe të shpëtohet popullsia civile”, theksoi ai.
“Besnik ndaj angazhimit tim historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës. Do ta njoftoj zyrtarisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtatorin e ardhshëm. Sot, është urgjente të ndalet lufta në Gaza dhe të ndihmohet popullsia civile. Paqja është e mundur. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i të gjithë pengjeve dhe ndihmë masive humanitare për popullsinë e Gazës”, u shpreh presidenti francez.
Ai shtoi: “Duhet të sigurojmë gjithashtu demilitarizimin e Hamasit, garantimin e sigurisë dhe rindërtimin e Gazës. Në fund, Shteti i Palestinës duhet të ndërtohet, qëndrueshmëria e tij të sigurohet dhe duhet t’i jepet mundësia që, duke pranuar demilitarizimin dhe njohjen e plotë të Izraelit, të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme. Nuk ka alternativë tjetër.”
“Francezët duan paqe në Lindjen e Mesme. Ne, francezët, së bashku me izraelitët, palestinezët, partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, kemi përgjegjësinë të tregojmë se kjo është e mundur. Në dritën e angazhimeve që më ka bërë Presidenti i Autoritetit Palestinez, i shkrova atij për të shprehur vendosmërinë time për të ecur përpara. Besim, qartësi dhe angazhim. Ne do ta arrijmë paqen”, përfundoi Emmanuel Macron.
Top Channel