
Gati 75 mijë qytetarë meksikanë janë larguar vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara dhe janë zhvendosur në atdheun e tyre që kur Donald Trump u rikthye në pushtet në janar, njoftoi presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum.
Pasi presidenti Trump u betua dhe mori detyrën, duke deklaruar goditjen ndaj emigracionit të paligjshëm një përparësi kryesore të mandatit të tij të dytë, autoritetet meksikane njoftuan nisjen e një programi që e quajtën “Meksika të Përqafon” për të ndihmuar në riatdhesimin vullnetar të qytetarëve meksikanë nga Shtetet e Bashkuara. Programi përfshin ndihmë financiare.
“Rreth 75 mijë bashkatdhetarë tanë, burra dhe gra meksikanë, janë kthyer në vend që nga 20 janari”, tha kreu i shtetit meksikan, i zgjedhur me partinë MORENA, në konferencën për shtyp që zakonisht jep çdo mëngjes.
Rreth 45 mijë prej tyre morën ndihmë, shtoi ajo, pa hyrë në detaje të mëtejshme.
Dhjetëra mijëra kthime vullnetare u njoftuan në një sfond të bastisjeve të intensifikuara policore, ndalimeve dhe deportimeve të njerëzve që ndodhen ilegalisht në SHBA, veçanërisht në Los Angeles, qyteti i dytë më i madh i SHBA-së, i cili është gjithashtu vendi ku jetojnë më shumë emigrantë meksikanë se kudo tjetër.
Sipas Ministrisë së Jashtme Meksikane, rreth 12 milionë meksikanë jetojnë jashtë vendit, 97% e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Dje, presidentja Sheinbaum i kërkoi administratës Trump të kthejë në atdheun e tyre ata meksikanë që janë në rrezik të mbahen në qendrat amerikane të paraburgimit, ku organizatat e të drejtave të njeriut ankohen se emigrantët i nënshtrohen trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
Top Channel