Luftë e re në Azi! Tajlanda sulmon e para dhe mbyll kufirin, Kamboxhia përgjigjet me raketa

24/07/2025 12:09

Kjo e enjte shënoi përshkallëzimin e një tjetër konflikti në botë. Tajlanda nisi sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake kamboxhiane, ndërsa Kamboxhia qëlloi me raketa dhe artileri.

Shkak për konfliktin është bërë një zonë kufitare e diskutueshme mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore.

Mediat e huaja raportojnë për të paktën 12 civilë tajlandezë të vrarë nga sulmet me raketa të Kamboxhias. Mbi 40,000 banorë janë evakuuar nga 86 fshatra në provincën kufitare Surin.

Kamboxhia është akuzuar për hedhjen e raketave në një fshat tajlandez dhe sulmin ndaj një spitali, ndërsa Tajlanda ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake kamboxhiane.

Në këto kushte Tajlanda ka mbyllur të gjithë kufirin e saj me Kamboxhian, ka tërhequr ambasadorin dhe ka shpallur të padëshirueshëm ambasadorin kamboxhian në Bangkok, po ashtu zotohet të “intensifikojë masat e vetëmbrojtjes”.

Përplasjet shpërthyen pranë tempullit Ta Moan Thom në kufirin lindor, rreth 360 kilometra nga Bangkoku dhe shënojnë pikën më kritike që nga muaji maj kur një ushtar kamboxhian humbi jetën në një shkëmbim zjarri, ndërsa së fundmi Tajlanda akuzoi Kamboxhian se ka minuar zonën kufitare duke shkaktuar plagosjen e tre ushtarëve të saj.

Ndërkohë, përpjekja e kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra për të zbutur tensionet përmes një telefonate me presidentin e senatit të Kamboxhias, Hun Sen, ka shkaktuar një stuhi politike në Tajlandë, duke çuar në pezullimin e saj nga një gjykatë.

Top Channel