
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sindikatës së Mësuesve kundër VKM-së që përcakton pagat sipas nivelit të diplomave.
Për shkak të ndarjes së barabartë të votave, 4 me 4, në Gjykatë dhe mungesës së shumicës, kërkesa për shpalljen antikushtetuese të VKM-së u hodh poshtë, siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Sindikata e Mësuesve kërkoi shfuqizimin e një pjese të VKM-së, duke argumentuar se vendimi krijon pabarazi dhe diskriminim, pasi sipas tyre ul pagat për një kategori të caktuar arsimtarësh.
Bëhet fjalë për kategoritë 2 dhe 3 të nivelit të diplomave, për të cilat, sipas lidhjes 4 të VKM-së, përcaktohet një shtesë prej 10 mijë dhe 12 mijë lekësh në pagë, bazuar në kualifikim, në dallim nga një kategori më e lartë që përfiton 14 mijë lekë shtesë.
Njoftimi i plotë;
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 26.06.2025 shqyrtoi në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar, me objekt: “Shfuqizimi pjesërisht i vendimit nr. 425, datë 26.06.2024 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, pikërisht pika 2.ii, vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për grupin vetëm nivelet 6 dhe 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), master profesional, dhe niveli 6 dhe të lidhjes nr. 4, si pjesë përbërëse e vendimit për pjesën e vlerës së shtesës së nivelit të kualifikimit për grupin e diplomës 2, KSHK 7 dhe grupi i diplomës 3, KSHK 6, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata Kushtetuese u mblodh në datën 24.07.2025 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve vlerësoi, për sa vijon.
Fillimisht, Gjykata mori në shqyrtim nëse ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së aktit normativ, objekt kërkese, duke analizuar natyrën e pretendimeve të paraqitura.
Për sa i përket pretendimit për cenimin e parimit të hierarkisë së normave juridike, për shkak se VKM-ja bie në kundërshtim me ligjin, Gjykata nuk arriti numrin e nevojshëm të votave për vendimmarrje sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, për rrjedhojë ky pretendim u konsiderua i rrëzuar. Sipas njërit qëndrim u vlerësua se pretendimet e kërkueses në këtë drejtim janë me natyrë ligjore, pasi kanë të bëjnë me përplasjen mes aktit nënligjor dhe ligjit, për rrjedhojë nuk kanë natyrë kushtetuese. Ndërsa sipas qëndrimit tjetër, ky pretendim përfshihet në juridiksionin kushtetuese për sa kohë ka të bëjë, në thelb, me rregullat që zbaton Këshilli i Ministrave në miratimin e akteve nënligjore, në kuptim të neneve 116 dhe 118 të Kushtetutës.
Për sa u përket pretendimeve të tjera të kërkueses, për cenimin e parimit të sigurisë juridike dhe të parimit të barazisë përpara ligjit e mosdiskriminimit, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se ato përfshihen në juridiksionin kushtetues dhe i shqyrtoi ato së bashku.
Për bazueshmërinë në themel të këtyre pretendimeve, për shkak se qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy drejtime, për rrjedhojë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, u vendos rrëzimi i tyre.
Sipas njërit qëndrim, kërkuesja pretendonte si të drejtë të fituar masën për një nga elementet e pagës sipas VKM-së nr. 425/2024. Megjithatë, në fakt, e drejta ligjore është paga në tërësinë e saj dhe jo elementet e veçanta përbërëse të saj dhe kjo e drejtë nuk është cenuar. Njohja e diplomave për efekt page për sa i përket personelit mësimdhënës në kuptim të nenit 72, pika 6, të ligjit nr. 48/2018 është një çështje që ka të bëjë me interpretimin dhe zbatimin e ligjit dhe, si e tillë, ajo i takon juridiksionit gjyqësor të zakonshëm.
Sipas qëndrimit tjetër, njohja e diplomës së përfituar si arsim i lartë për efekt page, sipas ligjit nr. 48/2018, për personelin mësimdhënës në arsimin parashkollor dhe fillor deri në momentin e fillimit të zbatimit të detyrimeve sipas Kartës së Bolonjës, përbën një të drejtë të fituar. Për rrjedhojë, Këshilli i Ministrave me nxjerrjen e VKM-së nr. 425/2024, me të cilën nuk e njeh në të njëjtën mënyrë diplomën e kësaj kategori për efekt page, ka cenuar parimin e sigurisë juridike dhe parimin e barazisë përpara ligjit dhe të mosdiskriminimit.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel