Gjadri, shpenzim 114 mijë euro në ditë/ Marrëveshja për emigrantët, raporti: Model jashtëzakonisht i kushtueshëm për Italinë

24/07/2025 23:00

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për ndërtimin e qendrave të ndalimit për emigrantët po i kushton shumë vendit fqinj.

Sipas një raporti të publikuar nga ActionAid dhe Universiteti i Barit, ky model është “jashtëzakonisht i kushtueshëm, i padobishëm dhe çnjerëzor”.

Sipas raportit, qendrat në Shëngjin dhe Gjadër, të hapura në tetor 2024, kanë konsumuar miliona euro fonde publike të Italisë. Vetëm për ndërtimin e qendrës në Gjadër janë shpenzuar 74.2 milionë euro, me një kosto prej 153 mijë eurosh për çdo shtrat. Ndërkohë, një qendër e ngjashme në Itali ka kushtuar vetëm 21 mijë euro për shtrat. Në vetëm 5 ditë operimi real gjatë vitit 2024-ës, qendrat shqiptare i kanë kushtuar shtetit italian 570 mijë euro, ose thënë ndryshe, 114 mijë euro në ditë për të mbajtur vetëm 20 persona, të cilët më pas u liruan.

Raporti thekson se janë shpenzuar edhe 528 mijë euro shtesë për akomodimin dhe ushqimin e personelit të policisë që shërbente në këto struktura, pa llogaritur kostot e transportit detar nga Italia në Shqipëri.

Në prill 2025, pas dështimit të tre operacioneve të para për transferimin e azilkërkuesve, qeveria italiane e ndryshoi funksionin e qendrës në Gjadër dhe e përdori për emigrantët në pritje për dëbim. Por edhe kjo strategji, për ActionAid duket absurde, pasi në strukturat ekzistuese italiane ka ende 263 vende bosh. Qeveria italiane po e përdor marrëveshjen me Shqipërinë si një model për të ardhmen. Komisioni Europian i Ursula von der Leyen dhe disa vende anëtare të BE-së po e shohin këtë eksperiment si shembull të mundshëm për qendra ndalimi jashtë BE-së, sipas modelit të “vendit të tretë të sigurt”.

Top Channel