Franca “mbyll” në shtëpi të miturit dhe adoleshentët deri në shtator, nuk do të lejohen të qarkullojnë në orët e vona gjatë verës

24/07/2025 11:38

Një verë nën kufizime për të miturit në Francë.

Më shumë se 15 qytete në të gjithë vendin kanë vendosur një ndalim qarkullimi gjatë natës për fëmijët dhe adoleshentët, masë që do të mbetet në fuqi deri në shtator.

Ky vendim, i konsideruar drastik, vjen si pasojë e rritjes së dhunës urbane dhe vështirësive të autoriteteve lokale për të garantuar rendin publik.

Në Béziers, në jug të Francës, kryebashkiaku konservator vendosi ndalimin pas një episodi të rëndë, kur disa efektivë të policisë ranë në pritë. Ndërkohë, qyteti i Nîmes u bashkua me masën të hënën, pasi një përplasje me armë zjarri, e lidhur me trafikun e drogës, la të plagosur gjashtë persona. Nisma është përqafuar edhe nga shumë bashki të vogla e të mesme në të gjithë vendin.

Të miturit që shkelin ndalimin e lëvizjes gjatë natës rrezikojnë gjoba deri në 150 euro dhe thirrje të prindërve në komisariat.

Por jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e kësaj mase. Sindikata e policisë Unité shpreh rezerva të mëdha, duke e quajtur ndalimin e qarkullimit “një masë joefektive kundër narkotrafikut”. “Të rinjtë e përfshirë në kriminalitet qëllojnë me armë edhe në mes të ditës. Nuk është një coprifuoco që do t’i ndalojë”, tha Wissem Guesmi, përfaqësues i sindikatës.

Në Limoges, ku masa është në fuqi prej disa ditësh, gjendja vazhdon të jetë alarmante. Një natë më parë, rreth 100 persona të maskuar dhe të armatosur sfiduan policinë gjatë trazirave në qytet. “Bilanci deri më tani nuk është pozitiv,” pranoi kryebashkiaku Lombertie, duke shtuar se “nëse nuk kemi forcat e nevojshme për të zbatuar masën, ajo është e kotë”.

Megjithatë, ndalimi po përhapet edhe në bashki të drejtuara nga e majta. Në Saint-Ouen, një qytet në periferi të Parisit, kryebashkiaku socialist Karim Bouamrane vendosi kufizimin javën e kaluar. “Prindërit më thonë: ‘Faleminderit, e mbështesim plotësisht këtë vendim,’” tha ai, duke e cilësuar si një ndihmë për familjet e zonave më të varfra që, sipas tij, “nuk kanë më mundësi të realizojnë pritshmëritë e tyre edukative”.

Kriminaliteti në rritje dhe ndjenja e një “egërsimi” të rinisë po ushqejnë një debat gjithnjë e më të nxehtë në shoqërinë franceze. Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, ka dërguar udhëzime të qarta në prokuroritë e vendit për zbatimin rigoroz të coprifuocos. Kjo lëvizje mbetet një përpjekje për të frenuar një situatë gjithnjë e më të ndërlikuar në rrugët franceze.

Top Channel