
Shtëpia njëkatëshe me pishinë në Durrës dhe një sipërfaqe toke 1050 m2 janë sekuestruar pas vendimit të Apelit të GJKKO, që la në fuqi vendimin e GJKKO-së.
Këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga aktivitete të paligjshme.
Pasuritë janë në pronësi të Luan Kërtallit, të cilat, po dyshohet se i ka përfituar nga aktiviteti kriminal i dy djemve të tij, Enkel dhe Morel Kërtalli, nën hetim për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Gjithashtu, 2 vëllezërit Kërtalli janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim mbetur në tentative, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ata akuzohen për atentatin ndaj Dash Gjokës në Xhafzotaj. Në 2022 dy vëllezërit u kapën në Spanjë pasi qenë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pasuritë e sekuestruara iu dorëzuan Agjencisë së APSK-së.
Top Channel