Video tronditëse, avioni rrëzohet në mes të autostradës në Itali, dy të vdekur

23/07/2025 19:40

Një video tronditëse dokumenton aksidentin ajror që ndodhi në unazën jugore të Brescias.

Pamjet, të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë momentin kur një aeroplan ultra i lehtë përplaset në asfalt dhe shpërthen në flakë. Disa automjete kaluan përmes murit të tymit dhe zjarrit pa u ndalur. Një moment kaosi që mund të ishte shndërruar në një tragjedi të vërtetë.

Videoja e plotë u bë virale brenda pak orësh. Pamjet janë të frikshme: aeroplani humbet kontrollin, rrotullohet dhe bie vertikalisht në mes të rrugës. Disa automjete kaluan përmes flakëve pa rrëshqitur, ndërsa të tjerat arritën të ndalonin në kohë. Një refleks instiktiv ose thjesht fat parandaloi një numër më të madh viktimash.

Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00 të mesditës, në rrugën që lidh autostradat A4 dhe A21. Avioni ultra i lehtë, i cili ishte nisur pak më parë nga Piacenza, humbi lartësinë dhe u rrëzua në mes të rrugës.
Në bord ndodheshin Sergio Ravaglia, një avokat 75-vjeçar nga Milano, dhe partnerja e tij Anna Maria De Stefano, 50 vjeçe. Fatkeqësisht, ata u dogjën për vdekje brenda avionit.
Dy shoferë të automjeteve që ndodheshin pranë vendngjarjes pësuan lëndime të lehta. Megjithatë, skenari mund të kishte qenë shumë më tragjik.

Segmenti i rrugës ku ndodhi rrëzimi u bllokua për disa orë për t’u mundësuar ekipeve të shpëtimit dhe pastrimit të rrënojave të ndërhyjnë. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, policia rrugore dhe ekipi i mjekësisë ligjore.
Prokuroria Publike e Brescias ka hapur një çështje për vrasje të paqëllimshme. Sipas konsulentit teknik aeronautik, Luca Zigliani, një nga hipotezat është “ngecja e krahut”, një fenomen që ndodh kur avioni humbet ngritjen për shkak të shpejtësisë së ulët dhe një këndi të tepërt sulmi. Në këtë rast, avioni mund të rrotullohet rreth vetes dhe të bjerë me hundë.

Modeli i përfshirë në aksident ishte Promecc Freccia Anemo, një aeroplan ultra i lehtë italian i ndërtuar me fibra karboni. Megjithatë, nuk përjashtohen mundësitë e një defekti mekanik ose një gabimi në drejtim.
Analizat teknike dhe dëshmitë që do të mblidhen në javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të sqaruar shkaqet e rrëzimit.

Top Channel