U bë baba për herë të parë, Pete Davidson i emocionuar: Dua t’i jap atij gjithçka që më ka munguar

23/07/2025 19:54

Pete Davidson ka shprehur hapur lumturinë e tij që është bërë baba, vetëm pak ditë pasi njoftoi se pret fëmijën e tij të parë me partneren e tij, Elsie Hewitt.

Gjatë premierës në New York të filmit të tij të ri, The Home, aktori 31-vjeçar u shpreh për E! News:
“Të gjithë janë vërtet të emocionuar për mua, sepse e dinë që kjo ka qenë ëndrra ime. Më thonë se do të jem i shkëlqyer në këtë rol dhe se është gjëja më e bukur që kam bërë ndonjëherë në jetën time. Adam Sandler më ka dhënë këshilla të mrekullueshme. Është një ndjesi e jashtëzakonshme të kem kaq shumë mbështetje.”

Ai shtoi se ndihet i bekuar dhe shumë i lumtur, duke theksuar se mezi pret të kujdeset për fëmijën e tij dhe t’i ofrojë atë që atij vetë i ka munguar: “Mendoj se çdo prind dëshiron t’i japë fëmijës gjithçka që vetë nuk e ka pasur dhe të shmangë gjithçka që e ka lënduar.”

Sa i përket mënyrës se si u njoh me Elsie Hewitt, Davidson tregoi: “U prezantuam nga miq të përbashkët. Asnjëri prej nesh nuk po kërkonte diçka në atë kohë, por sapo u takuam, u bë e qartë se ishim përputhja e duhur. Do të thoja se ajo është versioni femëror i imi dhe unë jam versioni mashkullor i saj. Qeshim gjithë ditën. Jemi të emocionuar.”

Çifti bëri daljen e tyre të parë publike në maj, gjatë ngjarjes vjetore Blossom Ball. Kohët e fundit, Hewitt ndau një seri fotosh në Instagram, duke treguar barkun e saj në rritje. Në një nga fotot, Davidson pozon me përkëdheli pas partneres së tij, me dorën mbi barkun e saj, ndërsa në një tjetër shihet imazhi i ultratingullit të foshnjës.

Pete ka shprehur dëshirën për të pasur fëmijë për vite me radhë, veçanërisht pas humbjes së babait të tij në sulmet e 11 shtatorit. Në një intervistë të vitit 2020 me Charlamagne Tha God, ai tha: “E vetmja gjë që dua është të kem një fëmijë. Do të ishte fantastike.”

Ai shtoi se, pasi është rritur pa një figurë atërore, dëshira e tij më e madhe ka qenë “të gjej princeshën time”.

Edhe në një intervistë tjetër në vitin 2022 për emisionin Hart to Hart, Davidson e përshkroi të qënurit baba si “ëndrra e tij e çmuar”, duke shtuar: “Jam shumë i emocionuar për këtë kapitull. Po përpiqem të bëhem një person më i mirë, që të jem gati kur të vijë momenti.”

Nga ana e saj, Elsie Hewitt foli për People rreth mbështetjes që i jep partneri i saj, duke thënë: “Ai është thjesht i pabesueshëm, personi më i mirë që kam takuar ndonjëherë.”
Ajo zbuloi gjithashtu se Davidson kujdeset për të me shumë dashuri, ndërsa kalojnë kohë së bashku duke parë filma. Siç tha ajo me dashuri: “Të gjithë meritojnë një Pete.”

Top Channel