Negociohen bujqësia dhe siguria ushqimore/ “Shqipëria nuk ndalet në rrugën drejt BE”, Rama jep lajmin e mirë: Hapet rruga për grupkapitujt 5

23/07/2025 14:51

Bashkimi Europian i ka dhënë dritën jeshile rrugës drejt çeljes së grup kapitujve 5 të Shqipërisë.

Lajmin e mirë e ka dhënë kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku shprehet se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.

“SHQIPËRIA NUK NDALET – Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni””, shkruan Rama.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze t’i kërkojë Shqipërisë të paraqesë Pozicionin Negociues për Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.

Përmbyllja e hapjes së kapitujve:
Ky zhvillim i rëndësishëm i hap rrugën organizimit të Konferencës Ndërqeveritare në muajt në vijim, duke përmbyllur hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave për Shqipërinë. Ky vendim konfirmon vlerësimin e BE-së për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe angazhimin e saj ndaj perspektivës evropiane.

Rëndësia e Grupkapitullit 5 është thelbësor për ekonominë shqiptare, pasi përfshin fusha kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, mbështetjen e fermerëve dhe peshkatarëve, dhe sigurinë ushqimore. Grupkapitulli 5 përbëhet nga 5 kapitujt e mëposhtëm:
– Kapitullin 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural),
– Kapitullin 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare),
– Kapitullin 13 (Peshkimi),
– Kapitullin 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe
– Kapitullin 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore).

Negociatat e këtij Grupkapitulli do të nxisin reforma për modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e standardeve të prodhimit ushqimor dhe forcimin e politikave të kohezionit.

Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë vitit 2025 dhe të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

Top Channel