‘Nuk do të ketë më kurrë një Ozzy Osbourne tjetër’/ Yjet e muzikës dhe fansat i bëjnë homazh legjendës së ‘rock-ut’

23/07/2025 10:55

Yjet e muzikës, fansat dhe ish-anëtarët e grupit i kanë bërë homazh Ozzy Osbourne, vokalistit të grupit të heavy metal, Black Sabbath, i cili ndërroi jetë në moshën 76 vjeç.

“Ne humbëm vëllain tonë”, tha bashkëthemeluesi i grupit Tony Iommi, ndërsa basisti Geezer Butler kujtoi koncertin e tyre të fundit dhe bateristi Bill Ward ndau një foto të vjetër të tyre së bashku.

Vdekja e ikonës së muzikës të martën erdhi më pak se tre javë pasi grupi i tij muzikor dha koncertin e lamtumirës në qytetin e tij të lindjes, Birmingham.

“Ai e donte atë që bënte, e donte muzikën. Jam shumë i lumtur që patëm mundësinë të mblidhemi përsëri për të bërë shfaqjen [e lamtumirës]”, tha Iommi.

Osbourne, i njohur për shfaqjet live energjike dhe kontraverse, frymëzoi një brez muzikantësh.

“Është e pamundur të përshkruhet me fjalë se çfarë ka nënkuptuar Ozzy Osbourne për Metallica-n”, tha grupi në një deklaratë në X. “Hero, ikonë, pionier, frymëzim, mentor dhe, mbi të gjitha, mik janë disa që më vijnë ndërmend.”

Black Sabbath ishin të shkëlqyer në zhanrin e muzikës heavy metal, duke shkruar këngë klasike si Paranoid, War Pigs dhe Iron Man.

Pasi u largua nga grupi në vitin 1979 për shkak të tensioneve në rritje me anëtarët e tjerë të grupit, Osbourne pati një karrierë të gjatë muzikore solo duke publikuar më shumë se një duzinë albumesh. Kënga e tij e parë e publikuar vitin tjetër, Crazy Train, është padyshim një nga këngët e tij më të famshme.

Në vitet 2000, imazhi i tij i egër u transformua falë reality show-t të MTV-së, The Osbournes – i cili e portretizoi yllin si patriarkun mirëdashës dhe shpesh të hutuar të një familjeje të çrregullt.

Osbourne la pas gruan e tij Sharon dhe gjashtë fëmijë, tre nga secila prej dy martesave të tij.

 

Top Channel