
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijon të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryedemokrati tha se ‘350 kuti votimi janë marrë nga magazinat e KQZ-së pas asnjë dokument’.
Më tej ai shton se këto kuti ‘janë dorëzuar në një vend të administruar nga një ish-deputet i Partisë Socialiste’.
“Për një shoqëri, groposja e zgjedhjeve si proces demokratik, shndërrimi i tyre në farsë elektorale, është de facto dhe de jure varrosje e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe demokracisë së atij vendi.
Në farsën elektorale të 11 majit 2025, Edi Rama ka përdorur të gjitha format, mënyrat, mjetet, pushtetet për denatyrimin e zgjedhjeve në mënyrë të plotë dhe totale.
Sot unë kam këto pyetje për Ilirjan Celibashin.
A janë marrë 350 kuti votimi me 12 apo me 13 prill të vitit 2025 nga magazinat e KQZ-së në Farkë? Së pari.
Së dyti. A ka firmosur ai dorëzimin e personave të caktuar të 350 kutive të votimit?
Së treti. A ka dijeni ai për marrjen e tyre pa asnjë dokument? Për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe dërgimin e tyre në një lokacion të administruar nga një ish-deputet socialist.
Dhe e fundit. I kërkoj zotit Celibashi të dorëzojë menjëherë kamerat e magazinave të materialeve të votimit sipas kërkesës të përfaqësuesve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në KQZ.
Transferimi që kërkon të bëjë tek Ilirian Gardë, një sipërmarrje shtetërore e sigurimit të objekteve shtetërore, është qesharak dhe është thjesht një përpjekje për t’u fshehur, për të larë duart me një krim ndoshta të padëgjuar më parë.
PD disponon të gjitha mundësitë për të faktuar sa ato që unë shtrova pyetjet sot.
Por zoti Celibashi duhet të përgjigjet këtyre pyetjeve sepse kemi të bëjmë me një akt të padëgjuar në 32 vite, por të paralajmëruar se ka ndodhur nga një seri demonstrimesh në të cilat kutitë me fletë votimi çdo gjë mund të ishin, por jo kuti të qendrave të votimit“, shprehet ai.
Top Channel