
Kreu i qeverisë, Edi Rama mori pjesë në aktivitetin në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij ai tha se universitetet në Shqipëri duhet ta kenë të qartë që nëse duan mbështetje ekstra nga qeveria duhet të bëjnë si UBT. Më tej në formë shakaja tha ‘të gjejnë shokë europinë, të dorëzojnë letrat e fejesës që të bëjmë martesën’.
Sakaq u ndal te problemet brenda universiteteve, duke thënë se do të jetë vetëm ‘një kokë’, pra një drejtues.
Në përfundim të fjalës, Rama u bëri thirrje maturantëve që të zgjedhin kategoritë që janë më në nevojë në mënyrë që të në të ardhmen t’i kenë dyert e hapura për punë.
“Të gjithë universitetet e Shqipërisë do ta kenë shumë të qartë që tani që ne e kemi shembullin, nëse duan mbështetje ekstra, duhet të bëjnë atë që po bën Universiteti Bujqësor i Tiranës, duhet të gjejnë shokun apo shoqen në Europë, të ngjiten me të, të dorëzojnë “letrat e fejesës” që ne t’i mbështesim për ‘martesë’. Histori “jo kam një program këtu, jo thërritem këtu, jo do bëjmë këtë, do bëjmë këtë, do bëjmë atë”, mund t’i bëjnë, janë autonomë, por nuk kanë mbështetje nga qeveria. Qeveria do të ndryshojë komplet qasjen financiare dhe për sa kohë nuk do të ketë një të dytë, çfarë janë ekstra ne do t’i vëmë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Do ta bëjmë Universitetin Bujqësor të Tiranës një rrezatim në të gjithë rajonin. Do ta fusim, pa diskutim, në listën e universiteteve të Europës për këto tema dhe do t’i japim Shqipërisë një burim të jashtëzakonshëm dhe të domosdoshëm dije.
Të tjerët janë tërësisht të respektuar, të inkurajuar, do marrin atë pjesën e buxhetit që iu takon, por më shumë nga gjithë kjo që ne kemi vënë ekstra, nuk ka për të marrë askush që nuk do bëjë të njëjtën gjë. Reformë reale. E tha pak Hubert, e preku, që ka një problem serioz. Universitetet tona nuk mund të vazhdojnë të jenë si shkollat e mesme me vite më shumë mësimi. Universitete tona duhet të jenë qendra kërkimore, duhet të jenë qendra ku studentët nuk dalin thjeshtë njerëz që dinë të përsërisin ato që iu kanë mësuar, por janë njerëz që janë vlerë e shtuar.
Kërkimi shkencor që është pika kyçe dhe më e dobët e UB, ne do ta mbështesim me gjithçka që kemi ne mundësi, së bashku me sigurisht BOKU-n.
Dhe Bardhi duhet të mbajë Hubertin, në momentin që Hubert largohet, problemet e Bardhit bëhen menjëherë probleme të opozitës.
Unë ju falënderoj shumë se mund të flisja dhe më gjatë, por sinqerisht besoj shumë te kjo reformë, besoj shumë tek mësimet që kemi marrë te kjo reformë se kemi mësuar dhe ne. Kemi mësuar dhe ne së shpejti do të fillojmë të shkruamë disa pjesë, jo gjithçka të ligjit për arsimin e lartë dhe do të marrim në konsideratë mësimet e këtij procesi reforme dhe do të marrim në konsideratë dhe këto ndryshime thelbësore që janë bërë në UB për sa i përket kurrikulave, për sa i përket përfshirjes reale të studentëve, jo përfshirja kot.
Hajde se po i fusim studentët 1/3-ën atje, kot. Përfshirja reale e studentëve në çështje që kanë të bëjnë me jetën e tyre universitare.
Dhe patjetër do të shqyrtomë një herë e mirë dhe çështjen e shumë kokave brenda një universiteti, problem i madh se bëhen zgjedhje, zgjidhet rektori, zgjidhet dekani, zgjidhen shefa dhe të gjithë thonë “unë kam vizionin tim”. Ndërkohë që universiteti ka një kokë, ka një drejtim dhe s’mund të ketë 17 koka me 17 vizione të ndryshme që duan të mbajnë atë kioskën e tyre. Kjo s’mund të ndodhë.
Dhe kjo që po bëjmë këtu do ta kthejmë në një rregull për të gjithë. Vizionarë në të katërta anët ka vetëm në çmendinë. Aty ku të gjithë mendojnë se janë Napoleoni, Skënderbeu edhe Papa Piu. Në jetën reale, në universitet, në një organizatë ka vizion, ka mision, ka edhe përgjegjësi, s’mund të thotë secili “unë kam vizionin tim” dhe kjo do të jetë temë e reforma së arsimit të lartë.
Ju falënderoj shumë! Të gjithë maturantëve dhe maturanteve që janë ambiciozë, që janë me rezultate më të larta iu them që “juristë ka plot Shqipëria, por profesionistë për të gjitha këto tema që janë temat më të nxehta sot të botës dhe do bëhen temat përvëluese për botën, për Europën, për Shqipërinë nuk ka mjaftueshëm ose ka shumë pak dhe ata pak që janë, janë pedagogë në UBT. Kështu që së bashku me ta, çdonjëri nga vajzat dhe djemtë që do trokasë në derën e këtij universiteti mund të bëhet pjesë e asaj kategorie që do jetë kategoria më e nevojshme për shoqërinë. Me një diplomë të këtij universiteti nesër pa diskutim i ke të hapura dyert qoftë në shtet, qoftë në privat, qoftë në Shqipëri, qoftë në Austri.
Jurist? Harroje! Në rastin më të mirë do përfundosh në një sekser gjykatash. Shumë faleminderit!“, përfundoi kreu i qeverisë.
Top Channel