
Mbretëria e Bashkuar mund të jetë një demokraci moderne, por në pallatet mbretërore, fjala e sovranit mbetet urdhër – edhe kur fjala është për orare të gjata, paga të ulëta dhe një klimë toksike pune.
Kështu raporton prestigjiozja The Sunday Times, që hedh dritë mbi një skandal të ri që përfshin Mbretin Charles III dhe trajtimin e stafit të tij në pronën madhështore të Highgrove, në Gloucestershire.
Sipas gazetës, 11 nga 12 kopshtarët që punonin në këtë rezidencë kanë dhënë dorëheqjen gjatë vitit të kaluar, duke akuzuar ambientin e punës si të padenjë dhe abuziv. Një nga punonjësit është cituar të ketë deklaruar se paguheshin vetëm 96 paund në ditë për të punuar rreth nëntë orë, përfshirë edhe fundjavat, ndërsa presioni dhe klima në vendin e punës përshkruhej si “toksiçe”.
Mbret Charles, i njohur për përkushtimin ndaj çështjeve mjedisore dhe për komunikimin e tij progresiv, duket se ka një tjetër fytyrë pas dyerve të mbyllura. Kritikët po e akuzojnë për hipokrizi, duke theksuar kontrastin mes imazhit publik si mbrojtës i natyrës dhe mënyrës se si, sipas raportimeve, ai sillet me njerëzit që kujdesen për të njëjtën natyrë në pronat e tij.
Për momentin Buckingham Palace nuk ka komentuar mbi akuzat e ngritura, ndërsa mediat britanike po i japin gjithnjë e më shumë hapësirë dëshmive të stafit të larguar.
Ky skandal i shtohet një sërë polemikash të mëparshme që kanë goditur monarkinë britanike gjatë viteve të fundit. Opinioni publik, veçanërisht në kohë inflacioni dhe krize ekonomike, është gjithnjë e më kritik ndaj shpenzimeve mbretërore dhe trajtimit të stafit mbretëror, të cilët shpesh paguhen në kufijtë e minimumit ligjor.
Rasti i Highgrove mund të detyrojë pallatin të rishikojë kushtet e punës dhe të përgjigjet publikisht, për të shmangur një tjetër erozion të besimit ndaj monarkisë në një epokë ku transparenca dhe dinjiteti njerëzor janë kërkesa të padiskutueshme të shoqërisë britanike.
Top Channel