
“Shoku im më i mirë vdiq para syve të mi. Avioni ra mbi ne, mbi prindërit që prisnin fëmijët e tyre jashtë. Ishte fundi i ditës së shkollës”, kjo ishte deklarata e një prej të mbijetuarve në Bangladesh, nxënësi i vitit të 10-të Farhan Hasan, aty ku avioni ushtarak u rrëzua mbi një shkollë.
Dëshmitarë të tjerë përshkruan panik dhe shpërthime të fuqishme. Mësuesit treguan se e panë avionin të përplasej direkt mbi ndërtesë. “Kur shikova pas, pashë vetëm zjarr dhe tym. Fëmijë dhe kujdestarë ishin kudo”, tha një mësues për Reuters.
Spitali Kombëtar i Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike konfirmoi se shumica e viktimave janë fëmijë të moshës 9–14 vjeç. Familjarë të tronditur dhe qytetarë që dhuronin gjak u mblodhën me shpresën për të ndihmuar.
“Djali im më telefonoi menjëherë pas përplasjes, por më pas nuk mora më asnjë lajm,” tha një nënë në vendngjarje.
Qeveria e përkohshme e Bangladeshit shpalli të martën ditë zie kombëtare, me flamurin që do të ulet në gjysmështizë. Shtatë spitale në kryeqytet janë mobilizuar për të trajtuar të plagosurit.
Si ndodhi ngjarja:
Një avion stërvitor i forcave ajrore të Bangladeshit është rrëzuar në një shkollë në periferi të Dakës, duke vrarë të paktën 27 persona dhe plagosur më shumë se 170 të tjerë, shumica nxënës të mitur.
Ngjarja tragjike ndodhi pak pas orës 13:00 me orën lokale, kur një avion F-7 pësoi një defekt teknik gjatë një fluturimi stërvitor dhe u përplas në ndërtesën dykatëshe të Shkollës dhe Kolegjit Milestone.
Piloti, Togeri i Fluturimit Md. Taukir Islam, ndodhej midis viktimave. Sipas autoriteteve ushtarake, ai u përpoq ta drejtonte avionin drejt një zone më pak të populluar për të shmangur viktima civile.
Top Channel