“Metës i janë penguar qëllimisht takimet me avokatët, dhe familjarët”, Blushi: Edhe unë e kam të pamundur të komunikoj me të

22/07/2025 11:18

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi një konferencë për shtyp në lidhje me situatën e kreut të PL Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit të kaluar.

Ai u shpreh se Metës i është penguar takimi me avokatë apo familjarë.

“Prej më shumë se një muaji e kam të pamundur të komunikoj me Metën edhe nga kabina telefonike e IEPV edhe pse numri im është i regjistruar atje. Metës i janë penguar qëllimisht takimet me deputetë, eurodeputetë, me familjarë si motra dhe fëmijët, si dhe me avokatët.
Rrëmbimi i Metës dhe izolimi politik i tij ka ndodhur fund e krye për arsye se regjimi i tmerruar nga të vërtetat e Metës edhe kur thuhen nga kabinat telefonike të burgut 313 po i cenon lirinë e fjalës si masë represive që ndodhi veçanërisht pas dy lidhjeve telefonike me gazetarë”, tha Blushi.

Blushi: Jemi sot në këtë konferencë të përbashkët me mbrojtësin ligjor të Z. Meta, Avokatin e mirënjohur Kujtim Cakrani, në nëntë mujorin e rrëmbimit politik dhe terrorist të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, për të renditur të gjitha shkeljet ligjore, Kushtetuese dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Se pari më lejoni të bëj një parashtrim politik se cfarë ka ndodhur këto nëntë muaj dhe më pas do ti kaloj fjalën avokatit Cakrani.

Nëntë muaj më parë, më 21 tetor 2024, vetëm për arsye politike dhe në funksion të zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit, Presidenti i Partisë së Lirisë, ish-President i Republikës, ish-Kryetar i Kuvendit, ish-Kryeministri Z. Ilir Metaj u rrëmbye në mënyrë terroriste nga kapuçonët maskëzinj të Narkoshtetit, me urdhër personal të Edi Ramës të lëshuar nga tribuna e Asamblesë së Partisë, më 7 maj 2022, të diktuar nga Charles McGonigal dhe të firmos nga Altin Dumani.

Ky rrëmbim terrorist dhe politik që u pasua me një izolim ekstrem, po politik, ndodhi pikërisht në nisje të fushatës elektorale, me qëllim për ti pamundësuar aktivitetin politik njërit prej dy liderëve kryesorë të Opozitës, Kryetarit të partisë së dytë opozitare në vend dhe forcës së tretë politike prej dy dekadash.
Të mos harrojmë se ky rrëmbim politik dhe terrorist, si dhe izolimi ekstrem politik, ndodhën pas përpjekjeve kriminale të dështuara të Narkoshtetit, për të marrë peng selinë dhe vulën e kësaj force politike nëpërmjet mashave dhe pengjeve të Edi Ramës, që në 11 Maj të gjithë shqiptarët i panë në fushatë apo si kandidatë të “Rilindjes”.

Ky rrëmbim ndodhi pikërisht për shkak të pengimit të dhunshëm të aktivitetit politik të Z. Meta, që u shpërfaq po aq dukshëm dhe vijon të shpërfaqet me pengimin e së drejtës së tij për tu takuar me drejtuesit e Partisë së Lirisë, me mua si Sekretar i Përgjithshëm, që edhe pse kam një leje të posacme nga SPAK për tu takuar me Z. Meta, e kam të pamundur të takohem me të dhe prej më shumë se një muaji e kam të pamundur edhe të komunikoj nga kabina telefonike e IEPV “Jordan Misja” edhe pse numuri im është i regjistruar ligjërisht në këtë Institucion, pa harruar faktin se në këto nëntë muaj, Z. Meta i janë penguar qëllimisht takimet me deputetët e Partisë së Lirisë, me Deputetë dhe Eurodeputetë, me familjarë, me motrën, me fëmijët si edhe me avokatët.

Rrëmbimi dhe izolimi ekstrem politik i Z. Meta që ndodhi në nisje të fushatës elektorale, që ka vijuar këto nëntë muaj dhe vijon ende edhe pas zgjedhjeve, ka ndodhur fund e krye për arsye politike, sepse regjimi i Edi Ramës, i tmerruar nga të vërtetat e Ilir Metës edhe kur ato thuhen nga kabinat telefonike të burgut “313”, po vijon me masat repressive duke cënuar rëndë edhe të drejtat dhe liritë e tij, në vecanti lirinë e fjalës, si një masë e shtuar represive që ndodhi vecanërisht mbas dy lidhjeve telefonike me kolegët tuaj, së pari me kolegen tuaj, Znj. Beti Njuma, ku Z. Meta nëpërmjet telefonit tim realizoi një lidhje live telefonike dhe më pas me gazetaren e MCN TV, Znj. Aida Toncica, lidhje që u realizua nëpërmjet telefonit gjithashtu të regjistruar në mënyrë të ligjshme, të avokatit të tij, Z. Kujtim Cakrani.

Megjithatë, për tu rikthyer edhe njëherë tek cështja shumë e rëndë e rrëmbimit terrorist dhe politik të Z. Meta, dua të theksoj se ky operacion, fund e krye kriminal dhe i paligjshëm , që vulosi përfundimisht standardet e një procesi po ashtu fund e krye politik, u realizua në mënyrë denigruese, degraduese dhe çnjerëzore nga persona me maska dhe të armatosur rëndë, të veshur me uniforma të zeza pa asnjë logo identifikimi, pa distinktiva apo shenja identifikuese, të cilët rrethuan zonën duke krijuar një atmosferë terrori për të gjithë qytetarët që ishin të pranishëm, duke e tërhequr zvarrë ish – Presidentin e Republikës nga makina që udhëtonte, dhe pa iu komunikuar një vendim gjykate për arrestin, e futën në një automjet privat.

Ky operacion i dhunshëm i urdhëruar nga Edi Rama, i filmuar nga Edi Rama dhe i zbatuar nga Altin Dumani dhe Narkopolicia e Shtetit, nuk mori parasysh një fakt që Z. Meta as nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar, por përkundrazi, ai gëzonte një status special si Presidenti i Republikës, që në fakt është status ligjor dhe ishte në mbrojtje nga Garda e Republikës që varej dhe varet nga Ministria e Brendshme.

Fakti që SPAK-u nuk e hetoi kallëzimin e bërë në datën 6 dhjetor 2024 nga Partia e Lirisë ndaj Policëve që kryen këtë rrëmbim politik dhe terrorist në një nga rrugët kryesore të Tiranës, tregon gjithashtu jo vetëm mungesën e përgjegjësisë, por edhe të bashkëfajësimit dhe ndikimin politik të policisë, Drejtorit Përgjithshëm të saj, Ilir Proda, i cili gjithashtu është një peng i SPAK për shkak se telefonat e tij ende janë sot në këtë institucion e nëpërmjet tyre i bëhet shantazh.

Kujtoj gjithashtu që në një kthim përgjigje që Drejtori i Policisë, Z. Ilir Proda, drejtuar meje në lidhje me këtë operacion kriminal, shkruan një mashtrim sat ë trashë qa edhe të paligjshëm dhe të dënueshëm ligjërisht, duke pretenduar në fakt një të pavërtetë të madhe, sikur në momentin e ndalimit zotit Meta, i është komunikuar urdhër – arresti.

Dua të theksoj se kjo kthim përgjigje e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është një mashtrim i pastër për të justifikuar të gjithë brutalitetin dhe dhunën e përdorur me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit ndaj Z. Meta, sepse e vërteta qëndron krejt ndryshe.

Z. Metaj është njohur me urdhër-arrestin vetëm 3 orë pasi ai ndodhej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe pasi i kishte mbërritur më parë, i njoftuar vetëm nga mediat, avokati i tij në atë periudhë, Z.Genc Gjokutaj.

Pra kjo vërteton edhe njëherë se Z. Meta u rrëmbye, u dhunua dhe u poshtërua në mesin e një prej rrugëve kryesore të Tiranës me urdhër politik dhe fakti që nuk pati asnjë reagim apo hetim qoftë edhe administrativ për policët (banditë), vërteton edhe njëherë se jemi përpara një situate të paprecedent për një shtet të së drejtës, që ndodh vetëm në vende diktatoriale apo regjime autokratike.

As në Rusinë e Vladimir Putinit nuk janë aplikuar të tilla masa gjatë ndalimeve të kundërshtarëve të tij politik dhe rasti më i njohur tanimë edhe ndërkombëtarisht, është momenti i ndalimit të Navalit, moment i cili tregon se formalisht edhe një regjim autokratik si ai i Vladimir Putinit, u kujdes në dukje të respektonte procedurat formale, duke i dhënë të drejtën Navalit jo vetëm të takonte familjarët, por edhe të komunikonte me mediat si dhe të shoqërohej normalisht nga policë me një urdhër ndalimi dhe të identifikuar qartë.

Gjithashtu, dua të theksoj se nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt penal ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, i cili në shkelje flagrante të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, vijon të mbahet tanimë prej nëntë muajsh në izolim ekstrem politik dhe vijojnë t’i zgjaten hetimet edhe me 3 muaj, pasi më herët i ishin shtyrë edhe 6 muaj të tjerë, ndonëse hetimet për të kanë filluar në Dhjetor të vitit 2019, një javë pasi Altin Dumani u ul në karrigen e Prokurorit dhe në kulmin e përplasjes së Presidentit Meta me Kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen e Gjykatës Kushtetuese nga ligji Antikushtetues i betimit të gjyqtarëve te Lana.

Jo 6 vite, por edhe 600 vite te hetojne per 32 vite jete publike dhe politike te Ilir Metes, kurre nuk kane per te gjetur nje fakt apo një prove, jo ne toke por ne cdo planet tjeter ku mund te cojne leterporosi, apo të kërkojnë dëshmitarë të rremë dhe me problem me drejtësinë qe ta implikoje Presidentin ne Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta ne raport me ligjin. E kunderta eshte e vertete, z. Meta, në 32 vite aktivitet të tij publik dhe politik, ka deshmuar gjithmone se eshte shembull i respektimit korrekt te ligjit dhe Kushtetutes dhe se asnjë akt i paligjshëm, asnjë qindarkë dëm Buxhetit të Shtetit dhe Financave publike, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër.

Ndaj Partia e Lirisë i bën sot thirrje të gjithë institucioneve ndërkombëtare, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe organizatave që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut të reagojnë me forcë dhe të dënojnë me ashpërsinë më të madhe këtë shkelje flagrante dhe recidiviste të të drejtave të njeriut, të ligjit, të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, qe nisi që me hetimin politik, me rrembimin terrorist dhe politik dhe vijojnë me mbajtjen në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penaletë Z. Meta.

Tanimë është fakt se Drejtësia në Shqipëri nuk përfaqëson më shtetin, por vetëm pushtetin personal të Edi Ramës.

Është fakt se Reforma në Drejtësi , e miratuar me 140 vota, është rrudhur në Ramaformën me 69 vota, e cila përdoret sot si një armë selektive për të goditur dhe ndëshkuar vetëm kundërshtarët politikë të regjimit dhe për të mbrojtur krimin e përbindshëm shtetëror, duke filluar nga krimet elektorale, te aferat korruptive, te vjedhjet me inceneratorët që nuk ekzistojnë, me koncesionet, PPP- të dhe gjithë pasuritë publike të shqipatëve.

Sot nuk kemi drejtësi, por një pseudo-drejtësi në shërbim të pushtetit dhe në shërbim të një njeriu të vetëm dhe më problematik është fakti se jo vetëm SPAK, por edhe se asnjë gjykatës nuk mund të jetë më i paanshëm në dhënien e drjtësisë për sa kohë asnjë gjykatës sot në mënyrë të përhershme është i mbikëqyryr 24 orë në 24, ai, familja dhe të afërmit e tij, në përgjim dhe në survejim permanent nga punonjës anonim të BKH, si në asnjë vend tjetër të KE dhe në kundërshtim edhe me vet rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias.

Ky është rrezik shumë i madh për demokracinë, për lirinë dhe për të drejtat e njeriut si dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë, ndaj dhe ne si forcë politike, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të mos mbyllë sytë përballë këtij devijimi të rrezikshëm të situatës në vendin tonë.

Gjithashtu në emër të Partisë së Lirisë edhe njëherë dua të përsëris qëndrimet tona shumë të qarta, në dënimin me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe, të aktit shumë të rëndë kriminal, terrorist dhe politik të rrëmbimit dhe izolimit në ekstrem, në mënyrë joligjore, të dhunshme dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe qytetar, të një figure të lartë publike, pa fakte dhe pa prova penale, ndaj Presidentit, Z. Ilir Meta, se për Partinë e Lirisë ky akt terrorist, kriminal, i urdhëruar nga Edi Rama dhe i vënë në zbatim nga një strukturë kriminale si SPAK dhe i certefikuar nga gjyqtarë të shantazhuar dhe në presion të përhershëm nga kjo strukturë që afërmendsh dikton edhe vendimet e gjykatave, për ne konfirmon atë që kemi denoncuar prej kohësh, atë që vet Z. Meta ka denoncuar prej kohësh, të zhbërjes së Reformës në Drejtësi dhe zëvendësimit të saj nga Ramaforma, të rënies së Shtetit Ligjor dhe të faktit se Sistemi i Drejtësisë tanimë është i kapur prej fyti dhe funksionon i gjithi sipas një drejtësie me regji vetëm për llogari të interesave politike dhe elektorale të Edi Ramës.

Për Partinë e Lirisë, izolimi politik, ekstrem i paligjshëm i Presidentit të Partisë së Lirisë pa fakte, pa prova penale, me dëshmitarë të rremë dhe me problem me drejtësinë, konfirmon edhe njëherë se Drejtësia e Re nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por vetëm mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Z Ilir Meta, është sot i burgosur politik, për shkak dhe vetëm të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare, në mbrojtje të interest Kombëtar dhe të Sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të Cështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pa kompromis të Kufijve të Kosovës si dhe për shkak të denoncimit të pa kompromis të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, të Narkoshtetit dhe të Narkodrejtësisë.

Në emër të Partisë së Lirisë, të mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të saj në mbarë vendin dhe në diasporë, dua të shpreh dhe njëherë solidaritetin e plotë me Presidentin e burgosur politik, Z. Ilir Meta, i kthyer sot në simbolin tonë më frymëzues, jo vetëm tonin, port ë cdo shqiptari të lirë, të ndershëm dhe patriot, në simbolin frymëzues të rezistencës dhe të luftës tonë të pakopromisë kundër Narkoshtetit dhe padrejtësisë.

Ndaj edhe jemi më të vendosur se kurrë për të përshkallëzuar aksionin tonë opozitar në Kuvend në shtator dhe në të gjitha forumet e tjera.

Top Channel