Lirohen hapësira të tjera në plazhin e Gjirit të Lalzit, procedohen penalisht dy persona

22/07/2025 15:20

Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në vend, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama.

Në plazhin e Gjirit të Lalzit janë liruar më shumë hapësira publike si dhe janë sekuestruar 78 komplete me çadra dhe shezlongë.

Si pasojë janë proceduar penalisht dy persona.

Njoftimi:

Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Lirohen hapësira të tjera në plazhin e Gjirit të Lalzit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.

Hiqen dhe sekuestrohen 78 komplete me çadra dhe shezlongë.

Procedohen penalisht 2 shtetas.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Gjirit të Lalzit, u hoqën dhe u sekuestruan në total 78 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 2 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ll. M., 66 vjeç dhe E. P., 36 të dy banues në Ishëm, Durrës.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Top Channel