Iu mori me dhunë varëset e floririt tre grave në rrugë, arrestohet 29-vjeçari në Durrës, i riu i dënuar për vjedhje

22/07/2025 12:30

Është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i tre vjedhjeve në Durrës.

29-vjeçari, i cili është dënuar më parë për vjedhje, u ka marrë më forcë varëset e floririt tre shtetaseve në rrugë gjatë natës.

Vjedhjet janë kryer gjatë muajit korrik.

Njoftimi:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës, operacioni policor i koduar “July”.

Iu mori me dhunë, varëset e floririt, 3 shtetaseve, në rrugë, gjatë natës, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.

Si rezultat i punës intensive të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, u finalizua operacioni policor i koduar “July”, për zbardhjen e disa vjedhjeve me dhunë të kryera gjatë muajit korrik.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Z., 29 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas:
-më datë 01.07.2025, i ka marrë me dhunë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje 59 vjeçe;
-më datë 14.07.2025, i ka marrë me dhunë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje 25 vjeçe;
-më datë 16.07.2025, i ka marrë me dhunë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje 46 vjeçe.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel