
Cherie Blair, gruaja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, përfitoi zbritje me vlerë 46,000 paund për rroba firmato nga disa stilistë të njohur, sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga Arkivi Kombëtar, një situatë që shkaktoi alarme të brendshme në Downing Street për etikën dhe pasojat politike.
Nga korriku 2001 deri në dhjetor 2002, këshilltarja e stilit e Cherie-t, Carole Caplin, bleu veshje nga marka si Nicole Farhi, Paul Smith dhe Barbara Bui me çmime shumice. Edhe pse vlera me pakicë e tyre ishte 76,000 paund, pagesa reale ishte vetëm 29,768 paund, një diferencë që ngriti pikëpyetje për shkelje të kodit ministror dhe të deputetëve.
Zyrtarët: Shqetësim për perceptimin, jo për ligjshmërinë
Në një letër të shkruar më 2003, sekretarja private Clare Sumner i tha Tony Blair se zbritjet ishin “shuma mjaft të mëdha” për të mos u shqyrtuar. Ajo theksoi se edhe nëse nuk kishte ndodhur asgjë e paligjshme, çështja e “perceptimit publik” ishte serioze: “Njerëzit mund të mendojnë se po merr zbritje sepse je Kryeministër.”
Kodi i ministrave ndalonte mbajtjen e përfitimeve me vlerë mbi 140 paund pa kompensim të plotë, ndërsa kodi i deputetëve theksonte që përfitimet nuk duhet të ishin të papërballueshme për publikun.
Zgjidhjet e propozuara dhe reagimi i Cherie Blair
Sumner sugjeroi që çifti Blair të kthente përfitimin financiar, në mënyrë që të shmangnin raportimin publik. Një nga opsionet ishte që Cherie të ndante blerjet si “50% grua e kryeministrit, 50% grua në karrierë”, duke paguar gjysmën publike.
Pas diskutimeve, Cherie ra dakord të vërtetonte që çmimet e zbritura nuk ishin ekskluzive për të dhe të kërkonte që stilistët të konfirmonin se të tjerë klientë kishin të njëjtin trajtim. Ajo kërkoi edhe marrëveshje konfidencialiteti me stilistët për të shmangur shfrytëzimin e imazhit të saj.
Tony Blair dhe dhuratat luksoze, pesë kitara në dy vite
Dosjet zbulojnë gjithashtu një listë të gjatë dhuratash që Tony Blair mori si kryeministër, përfshirë pesë kitara elektrike, dy raketa tenisi dhe dhurata të tjera nga liderë dhe marka të njohura.
Në një email, Blair kërkoi çmimin e blerjes për një kitarë të dhuruar nga Bono i U2, ndërsa një tjetër kitarë nga Presidenti i Meksikës, thuhet se nuk u përdor fare.
Top Channel