
Drita e Gjilanit dha një paraqitje dinjitoze ndaj FC Copenhagen, në ndeshjen e parë të vlefshme për raundin e dytë të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve, duke u mposhtur me rezultatin 2-0 në stadiumin “Parken” të Kopenhagës.
Skuadra daneze, e drejtuar nga trajneri Jacob Neestrup, gjeti rrugën e golit vetëm pas 69 minutash rezistencë të fortë nga kampionët e Kosovës, falë dy penalltive të fituara dhe të realizuara nga Magnus Mattsson, në minutat 69 dhe 76 të takimit.
Pavarësisht humbjes, Drita, nën drejtimin e trajnerit Zekerija Ramadani, tregoi karakter dhe organizim të mirë mbrojtës ndaj një kundërshtari me shumë përvojë në arenën evropiane, duke lënë shpresë për një paraqitje të fortë edhe në ndeshjen e kthimit.
Takimi i dytë do të zhvillohet të martën e ardhshme, më 30 korrik, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Drita do të kërkojë të bëjë surprizën e madhe përballë gjigantëve danezë.
Top Channel