“Dorëheqja e Lapajt nga mandati nuk ishte pjesë e marrëveshjes”, Shabani: As largimi i Zeqirit s’është i shkruar në pakt, kur Adriatiku s’e mban fjalën…

22/07/2025 12:12

Vijon përplasja mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani tha se dorëheqja e Lapajt nga mandati nuk ishte pjesë e marrëveshjes, po ashtu edhe largimi i Zeqirit.

“Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?”, shprehet Shabani në fund të reagimit.

“SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut?
Apo funksionon parimi: “bëj si të them unë, jo si bëj unë”?

Për ata që janë të interesuar, më poshtë gjeni marrëveshjen e nënshkruar. Aty nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër.
Por është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur.

Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë – si ajo e Adriatikut. Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa! Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?”, ka shkruar Shabani.

Top Channel