Adriatik Lapaj sfidon Endri Shabanin: Eja të japim dorëheqjen nga mandati, të zbatohet marrëveshja (Fjala e plotë)

22/07/2025 11:25

Adriatik Lapaj ka sfiduar Endri Shabanin në lidhje me mandatin e fituar “Shqipëria Bëhet”.

Lapaj ka ripërsëritur kërkesën, të cilën e konsideron një marrëveshje që në nisje të kësaj nisme, për t’i dorëzuar mandatin kandidates më të votuar dhe ata të dy të tërhiqen.

“Nisma Thurrje me zotin Endri Shabani kemi pasur një marrëveshje me shkrim, ku me marrëveshje ai që ka vota më shumë do të marrë mandatin. Pas zgjedhjeve të 11 majit, duke qenë se u fitua vetëm një mandat dhe unë isha më i votuari dhe i propozova që të tërhiqemi të tre.

Kam pritur me durim një vendim të tillë, deri kur u informova që njëri prej personave që kishte sjellë zoti Shabani, kishte dorëzuar tërheqjen.

Dolëm në fushtë me një premtim të qartë që mandati t’i kalohet personit më të votuar. Më vjen keq që kjo nuk po ndodh marrëveshja nuk po zbatohet marrëveshja që kemi bërë.

Ftoj dhe sfidoj publikisht zonin Endri Shabani dhe të vijë për të dhënë dorëheqjen. Unë kam hequr dorë nga ai mandat që një ditë pas zgjedhjeve, por zoti Shabani nuk më ka lejuar dhe nuk ka dashur që mandati t’i kalojë kandidates më të votuar.
Endri Shabani eja të zbatojmë marrëveshjen, eja të japim dorëheqjen. Unë e kam mbajtur fjalën, jam penguar nga egoizmi i zotit Shabani“, tha Adriatik Lapaj.

Adriatik Lapaj foli edhe për dorëzimin e kërkesave për dorëheqjen e kandidatëve të “Shqipëria Bëhet”, dhe veprimet që KQZ ka ndërmarrë .

-Kush do ta marrë mandatin e nismës “Shqipëria Bëhet”?

“Në lidhje me mandatin atë e vendos KQZ, ne kemi qëndrimin tonë. KQZ duhet të shprehet në favor të dorëheqjeve të listës së mbyllur. Ne e kemi dorëzuar listën e dorëheqjeve. KQZ ka pasur detyrë brenda 30 ditësh të shprehej me një njoftim, nuk e ka bërë. KQZ nuk mund t’i kalojnë mandate atyre që rrugës janë shitur”, u shpreh Lapaj.

Fjala e plotë e Adriatik Lapaj:

Së pari, dua më lejoni tu kërkoj ndjesë , të gjithë atyre që na ndjekin, për situatën e krijuar dhe për paqartësitë që kanë lindur pas zgjedhjeve të 11 majit.
Ju kemi kërkuar besim dhe mbështetje për të sjellë një mënyrë të re të të bërit politikë, prandaj ndjej detyrimin moral të sqaroj publikisht këtë moment. Nuk është aspak e lehtë të ndodhemi në këtë situaë, si politikanë të rinj e as si qytetarë.

Prej ditësh jam në pritje të Z. Shabani për t’u takuar dhe për të diskutuar lidhur me ngërçin e krijuar në koalicionin tonë. Edhe pse e kemi ftuar disa herë për një takim, kjo nuk ka ndodhur. Prandaj, ndjehem i detyruar të ndaj publikisht thelbin e bisedës që do të kisha pasur me të.

Që në krye të herës, dua të theksoj se deklarata ime për të dhënë dorëheqjen nëse do të merrej vetëm një mandat, po keqpërdoret nga politika e vjetër. Ky angazhim ka qenë i imi personal me votuesit dhe strukturat e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, jo me Z. Shabani apo me partinë “Nisma Thurje”.

Me partinë “Nisma Thurje” dhe Z. Shabani kemi pasur një marrëveshje me shkrim, ku të dy palët angazhohemi që mandati t’i kalojë kandidatit më të votuar nga lista e hapur, një model që premtoi ndershmëri dhe konkurrencë reale.

Pas zgjedhjeve të 11 majit, duke qenë se u fitua vetëm një mandat dhe unë rezultova kandidati më i votuar në nivel kombëtar, i kam propozuar Z. Shabani që të tërhiqemi të tre (unë, ai dhe Z. Soko), në mënyrë që mandati t’i kalojë znj. Greta Ambeli – kandidate e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe avokate me përvojë, që gëzon besimin dhe mbështetjen më të lartë nga votuesit tanë.

Kam pritur me durim një vendim të tillë deri në momentin kur u informova se një prej personave të listës së Z. Shabani ishte tërhequr nga gara, një veprim që më dha sinjalin se marrëveshja nuk po respektohej.
Gjatë kësaj kohe, jam rezervuar nga deklaratat publike, duke e konsideruar si një çështje të brendshme. Por tashmë është e qartë se marrëveshja politike me shkrim nuk po zbatohet dhe se angazhimi ynë ndaj qytetarëve po shpërfillet.

Ne dolëm në fushatë me një premtim të qartë: që mandati t’i takojë kandidatit më të votuar dhe të respektohet modeli i listës së hapur. Ky ishte zotimi që bëmë ndaj jush dhebqytetarëge të ndershëm që na besuat. Ligji elektoral na detyroi të përdorim lista të mbyllura, por ne i konceptuam ato si teknike, duke vendosur njerëz pa angazhim publik për dorëheqje.

Më vjen shumë keq që kjo nuk po ndodh. Marrëveshja nuk po zbatohet dhe fjalët e dhëna qytetarëve po shkelen.

E ftoj publikisht dhe e sfidoj Z. Shabani që të vijë e së bashku të japim dorëheqjen, për t’i lënë vendin kandidatit më të votuar të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Personalisht, unë kam hequr dorë nga ai mandat që në ditën e parë pas zgjedhjeve. Por Z. Shabani nuk më ka lejuar, pasi kërkon që mandati të shkojë tek ai, e jo te më e votuara e Lëvizjes.

Deklarata ime për dorëheqje në rast të një mandati është bërë para krijimit të koalicionit. Ka qenë një reflektim mbi nevojën për të patur një bazë solide votash, rreth 11 mijë , për të justifikuar vazhdimësinë e një projekti politik. Koalicioni mori mbi 64 mijë vota, pra realisht fitoi 6 mandate, që sistemi aktual na i mohoi.

Disa kërkojnë që unë të mbaj fjalën. Po, dhe e mbaj! Por që ta bëj këtë, mandati duhet të vijë te unë. Përkundrazi, Z. Shabani ka dy muaj që nuk pranon që ai mandat t’i kalojë më të votuarës së Lëvizjes.

Pse nuk mund t’ia dorëzoj mandatin Z. Shabani?
Së pari, sepse ai përfaqëson një subjekt tjetër politik. Nuk kam të drejtë ligjore apo politike t’i dhuroj mandat një partie tjetër. Koalicioni ka qenë një bashkim për zgjedhje, por çdo parti ruan individualitetin juridik dhe politik.
Së dyti, sepse ai nuk është më i votuari. Për të marrë një mandat në Tiranë nevojiteshin të paktën 11,694 vota. Koalicioni ynë në Tiranë mori 16,520 vota. Nga këto, 4,522 i mori “Nisma Thurje”, ku Z. Shabani personalisht mori vetëm 2,966 vota. Pra, mandati është fituar përtej votave të Nismës Thurje dhe i takon listës së hapur të “Shqipëria Bëhet”.

Në të gjithë Shqipërinë, Nisma Thurje mori 10,169 vota –1,525 më pak se pragu për një mandat në Tiranë. Mandati është marrë me votat e “Shqipëria Bëhet”, jo me ato të Nismës.

Gjithsesi, e ritheksoj: kjo nuk është një betejë për një mandat. Kjo është një betejë për të mbajtur një fjalë të dhënë, për të respektuar një marrëveshje politike dhe për të përmbushur një angazhim publik të bërë me qytetarët.

Ne nuk kërkuam votën për t’u bërë pjesë e së vjetrës. Ne garuam për t’i dhënë fund pazareve të listave të mbyllura dhe për të sjellë meritokracinë përmes listave të hapura.

Z. Shabani, ju pres! Ejani të respektojmë marrëveshjen, të japim dorëheqjen dhe mandatin ta marrë ajo që qytetarët e zgjodhën me votë të lirë – znj. Greta Ambeli, kandidatja më e votuar e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Top Channel