
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra penale ndaj individëve që uzurpojnë hapësira publike brenda komuniteteve urbane me pretendimin se janë pronë private.
Në një deklaratë nga mbledhja sot me drejtuesit e bashkisë Tiranë, ai theksoi se vendosja e pengesave si trarë për përfitime financiare apo bllokimi i rrugëve publike do të konsiderohen vepra penale.
Po ashtu ka paralajmëruar edhe ndërhyrje ligjore për korrigjimin e dokumenteve të lëshuara në shkelje të këtyre parimeve, duke u ndalur te ndërtimet e pallateve në truall me disa pronarë.
Edi Rama:
Përpara se të kaloj fjalën tek të tjerët dua të shtoj dhe një element tjetër që kam përshtypjen mbeti pa e thënë, lidhur me okupimin e një territori, brenda një hapësire të një komuniteti me pretendimin “është prona ime”. Kjo konsiderohet vepër penale. Pra, në rast se dikush me pretendimin se ka pronën e vet vendos një tra për të marrë para nga njerëzit, që jetojnë aty, se është prona e vet në mes të pallateve, kjo është vepër penale.
Ashtu sikundër, çdolloj okupimi tjetër, çdolloj zënie tjetër e rrugës, çdolloj bllokimi që i shkaktohet njerëzve ne jetën e tyre të përditshme me idenë që kjo është prona ime, është vepër penale.
Është diçka që e kemi konsultuar me të gjitha legjislacionet dhe nuk ndodh në një qytet me rend ligjor që dikush në emër të pronës së vet të bëjë çfarë të dojë, kur nuk është në pyll, por është në qytet dhe nga ana tjetër kemi adresuar me ligjin e fundit për bashkëpronësinë një element shumë të rëndësishëm që prej kohesh nuk është adresuar dhe prandaj ka prodhuar dhe probleme, elementin e bashkëpronësisë së truallit përreth një godine.
Pra nëse një grup pronaresh bëjnë marrëveshje me një ndërtues për të ndërtuar një pallat dhe ai pallat ndërtohet në një përqindje të atij territori që është prona, se nuk ndërtohet me vijën e pronës, por ndërtohet sipas logjikes së të gjithë bllokut të banimit, gjithçka tjetër që nuk përfshihet në trupin e pallatit nuk është më prona e pronarëve që ishin në fillim, kur bënë marrëveshjen, por njësoj sicc janë shkallët e brendshme, siç është tarraca, siç është çdo mjedis i përbashkët është pronë e përbashkët, e të gjithëve. Dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrë një masë ligjore për të prapa kthyer të gjitha llojet e dokumenteve që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të pronësisë së të gjithë këtyre komuniteteve.
Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë, të thotë unë jam këtu dhe kam këtë lokalin bashkë më këtë çatinë, ndërkohë që aty është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën se ndërkohë ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar.
Top Channel