
Një burrë kolumbian është shpallur fajtor për vrasjen e një çifti, copëtimin e trupave të tyre dhe hedhjen e tyre në valixhe nga një urë e Bristolit.
Sipas Sky News, ai është 35-vjeçari Justin Andres Mosquera, i cili punonte në industrinë e pornografisë dhe vrau 71-vjeçarin Paul Longworth dhe 62-vjeçarin Albert Alfonso në Londrën perëndimore më 8 korrik 2024.
35-vjeçari, i cili ka luajtur në filma pornografikë për më shumë se 10 vjet, u takua për herë të parë me 62-vjeçarin Alfonso në internet.
62-vjeçari ishte në një lidhje me 71-vjeçarin Paul Longworth, dhe të tre burrat u bënë miq dhe vizituan njëri-tjetrin në Kolumbi dhe Britani. Megjithatë, 62-vjeçari dyshohet se pati marrëdhënie seksuale me 35-vjeçarin kolumbian ndërsa ai ishte në Londër për të vizituar çiftin.
Gjatë vizitës së tij në Britani, Justin Andres Mosquera dyshohet se filloi të përgatitej për të vrarë burrat, pasi – siç zbulon historiku i tij i kërkimit në internet – ditën e vrasjeve, ai kërkoi: “Ku mund të jetë fatale një goditje?”
Prokuroria pretendoi se ai kishte motive financiare, pasi 35-vjeçari u përpoq vazhdimisht të zbulonte vlerën e pronës së çiftit dhe vodhi para nga Alfonso pas vrasjes së tij.
Më 8 korrik 2024, Mosquera e vrau Longworth-in duke e goditur me çekiç dhe duke i thyer kafkën, përpara se ta fshihte trupin e tij në një divan-krevat dhe atë mbrëmje, gjatë marrëdhënieve seksuale me Alfonson, 35-vjeçari e goditi 22 herë me thikë.
Ajo që 35-vjeçari nuk e dinte në atë kohë ishte se krimi i tij ishte regjistruar nga kamerat që Alfonso kishte vendosur në dhomën e tij.
Mosquera më pas u preu kokat trupave dhe i vendosi në frigorifer më 9 korrik dhe të nesërmen, i futi në valixhe, mori me qira një furgon me shofer dhe shkoi në Urën e Varur Clifton për t’i hedhur trupat.
35-vjeçari i futi trupat në valixhe dhe u përpoq t’i hidhte nga një urë. Në fakt, disa kalimtarë të rastësishëm u përpoqën ta ndihmonin Mosquera-n, pasi e panë duke u munduar me valixhet. Megjithatë, 35-vjeçari tërhoqi vëmendjen e tyre, pasi gjaku filloi të rridhte nga valixhet dhe ata njoftuan autoritetet.
Edhe pse ai iku nga vendi i ngjarjes, Justin Andres Mosquera u arrestua në stacionin e Bristol Temple Meads më 13 korrik 2024 dhe u akuzua për dy vrasjet.
Top Channel