Vlora me kulla? Debate në këshill, rrëzohet parku fotovoltaik. Kalon projekti i stadiumit

21/07/2025 20:38

Këshilli bashkiak i Vlorës nuk e miratoi kërkesën që në 831 hektarë tokë në fshatin Kaninë, të ndërtohej një park fotovoltaik.

“Nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli. Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë”, tha Elpiniqi Mërkuri, kryetare e këshillit bashkiak Vlorë.

Por debatet në këshill i shkaktoi një tjetër çështje. Në mënyrë të befasishme, u shtua një projekt që rikthen në qendër të vëmendjes “kompleksin sportiv” të qytetit përfshirë stadiumin, pallatin e sportit, pishinat dhe ndërtimin e një kompleksi me kulla për banim.

Korporata Shqiptare e Investimeve, ka shprehur interes për të marrë projektin në dorë, i cili më herët ishte premtuar edhe nga Fondi i Shqiptar i zhvillimit.

Për opozitarët në këshill, realizimi i një projekti të tillë mund të prekë shtëpi dhe prona në proces legalizimi duke sjellë pasojë sociale.

 

Top Channel