U gjet i pavetëdijshëm në banesën e tij, legjenda e futbollit anglez përfundon në spital, ja si paraqitet gjendja shëndetësore e tij

21/07/2025 10:17

Legjenda e futbollit anglez, Paul Gascoigne u dërgua me urgjencë në spital pasi u gjet i pavetëdijshëm në banesën e tij.

Ish-mesfushori i Anglisë u shtrua fillimisht në një repart të kujdesit intensiv, por më vonë u transferua në një njësi mjekësore akute.

Gjendja e Gascoigne është përshkruar si e qëndrueshme, por ai pritet të qëndrojë në spital për disa ditë për trajtim.

Ish-lojtari i Rangers dhe Spurs u gjet i rrëzuar në dhomën e gjumit të shtëpisë së tij në Poole, Dorset nga Steve Foster, miku dhe asistenti i tij personal, i cili e çoi me makinë në spital.

“Paul është në spital, që është vendi më i mirë i mundshëm për të tani.”, tha Foster për The Sun.

Kompania e Gascoigne, Gazza8 Limited, u çregjistrua dhe u shpërbë këtë muaj sepse nuk arriti të dorëzonte të dhënat në kohë.

Gascoigne konsiderohej një nga lojtarët më të talentuar të futbollit anglez, i njohur për shkëlqimin e tij në fushë si një nga organizatorët më të mëdhenj të brezit të tij, ndërsa mbahet mend edhe për jetën e tij të trazuar jashtë fushës.

Ai luajti 57 ndeshje për Anglinë, duke shënuar dhjetë gola për vendin e tij midis viteve 1988 dhe 1999.

Bianca Gascoigne, vajza e tij dhe një yll i reality shoë-t, si dhe disa nga ish-miqtë futbollistë të Gascoigne, përfshirë Chris Ëaddle, Paul Merson dhe Vinnie Jones janë informuar për gjendjen e tij.

Në maj, Gascoigne tha në një intervistë për The Mirror se ndihej më mirë dhe shpresonte që të mund të shihte prapa në jetën e tij me një perspektivë pozitive.

Vitin e kaluar ai kishte zbuluar në podkastin High Performance se po luftonte me varësinë nga alkooli dhe kishte marrë pjesë në takimet e Alkoolistëve Anonimë.

“Nëse dua ta bëj një ditë të keqe, do të shkoj në pub… Dikur isha një pijanec i lumtur: nuk jam më, jam një pijanec i trishtuar… Nuk dal të pi, do të pi brenda.”, ka thënë ai për The Mirror.

Top Channel