Tragjedi në Bangladesh! Aeroplan ushtarak bie mbi një shkollë në kryeqytet, të paktën 19 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur

21/07/2025 13:30

Një aksident i rëndë ajror ka tronditur kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, ku një avion stërvitor i Forcave Ajrore është rrëzuar mbi kampusin e një shkolle, duke shkaktuar të paktën 19 viktima dhe mbi 100 të plagosur.

Ngjarja ndodhi në zonën veriore të qytetit, në lagjen Uttara, ku avioni tip F-7 BGI u përplas mbi Milestone School and College, duke shkaktuar një zjarr masiv dhe një shtëllungë të dendur tymi që pushtoi zonën, shkruan BBC.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një skenë kaotike, me ndërhyrje të menjëhershme të zjarrfikësve dhe ambulancave për të shpëtuar të mbijetuarit. Më shumë se 50 persona – përfshirë fëmijë dhe të rritur – janë dërguar me urgjencë në Institutin Kombëtar të Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike, ku ndodhen nën trajtim për djegie të rënda, sipas një mjeku që foli për mediat lokale.

Forcat e Armatosura të Bangladeshit konfirmuan se avioni kishte ngritur fluturimin në orën 13:06 sipas orës lokale dhe u përplas pak minuta më vonë. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.

Kryeministri i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, deklaroi se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të hetuar ngjarjen dhe për të ndihmuar të prekurit. “Do të sigurojmë çdo ndihmë të mundshme për familjet e viktimave dhe të plagosurit,” tha ai.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në opinionin publik, ndërsa autoritetet po vijojnë operacionet e kërkimit dhe mbështetjes në zonë.

Top Channel