Nga Londra në Nju Jork për 60 minuta, Britania e Madhe nis planet për ndërtimin e avionit hipersonik

21/07/2025 16:41

Britania po udhëheq planet për ndërtimin e një avioni revolucionar hipersonik, i cili do të mund të fluturojë në kufijtë e hapësirës dhe të përshkojë distancën Londër–Nju Jork për vetëm 60 minuta.

Me emrin “The Sabre”, avioni i së ardhmes do të arrijë shpejtësi deri në Mach 5 (rreth 6,400 km/h), pesëfishin e shpejtësisë së zërit, shkruan “The Sun”.

Ky projekt inovativ është pjesë e një iniciative prej 6 milionë paundësh të quajtur Invictus, e udhëhequr nga konsulentët britanikë të Frazer-Nash dhe mbështetur nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA).

Avioni do të ketë aftësi për nisje horizontale dhe do të fluturojë pranë kufirit me hapësirën, duke mundësuar udhëtime ndërkontinentale me kohë shumë të shkurtër. Krahas udhëtimit të shpejtë, projekti synon të zhvillojë një aeroplan plotësisht të ripërdorshëm për qëllime eksperimentale dhe, në të ardhmen, edhe komerciale.

Pjesa qendrore e teknologjisë së re është sistemi pre-cooler, i testuar për motorin Synergetic Air-Breathing Rocket Engine (Sabre) – një motor hibrid që kombinon teknologjinë e motorëve të avionëve dhe raketave. Kjo teknologji lejon që oksigjeni të tërhiqet nga atmosfera në lartësi më të ulëta, duke rritur ndjeshëm efikasitetin gjatë fluturimeve hipersonike.

Në shpejtësi të tilla ekstreme, mbinxehja dhe fërkimi me ajrin paraqesin sfida serioze. Sistemi pre-cooler zgjidh këtë problem duke ftohur ajrin përpara se të hyjë në motor, çka mundëson përdorimin e motorëve konvencionalë në kushte hipersonike.

Ekipi i projektit “Invictus” do të përfundojë brenda 12 muajve të ardhshëm dizajnin përfundimtar dhe zhvillimin e sistemit të fluturimit, me qëllim që testimi i parë të realizohet deri në vitin 2031. Aeroplani testues do të ketë kapacitet të lartë për përmirësime të vazhdueshme në sistemet e tij të materialeve, softuerit dhe motorëve gjatë fazave të ndryshme të testimit.

Sarah Wilkes, drejtuese e Frazer-Nash, deklaroi: “INVICTUS është një mundësi emocionuese për të ofruar teknologji të avancuar për hapësirën dhe mbrojtjen. Me mbështetjen e industrisë dhe ekspertizën tonë të thellë, kemi të gjithë përbërësit për ta bërë këtë vizion realitet.”

Tony Forsythe, kreu i Teknologjisë Hapësinore në Agjencinë Britanike të Hapësirës, shtoi: “Ky projekt emocionues, i mundësuar nga investimet tona në ESA, ka potencial të madh për të çuar përpara teknologjinë e ftohjes dhe të shtytjes hipersonike të zhvilluar nga inxhinierët britanikë ndër vite.”

Në të njëjtën kohë, kompania amerikane Venus Aerospace po zhvillon një avion pasagjerësh hipersonik të quajtur Venus Stargazer, i cili gjithashtu synon të udhëtojë nga Londra në Nju Jork për vetëm një orë. Sipas njoftimeve të kompanisë, një demonstrim fluturimi pritet të ndodhë më vonë këtë verë.

Top Channel