
Kryeministri Edi Rama thekson problematikat me kantiere ndërtimi që nuk respektojnë mjedisin, hapësirat dhe qytetarët, duke paralajmëruar ndërhyrje për të saktësuar kriteret që duhet të përmbushin.
Ai denoncon gjithashtu abuzimet ku ndërtuesit fillojnë punimet pa leje të plotë, duke hapur gropa dhe ndërtuar pa autorizim, dhe paralajmëron masa drastike për shkelësit.
Edi Rama:
Kemi një problem shumë, shumë të madh që është i patolerueshëm.
Është toleruar për një kohë të gjatë nga të gjitha bashkitë për fat të keq, që është problemi i kantierëve të ndërtimit. Kantierë që nuk kanë lidhje fare me asnjë lloj respekti, as për të tjerët rreth e rrotull, as për mjedisin, as për hapësirën, as për sigurinë.
Kantiere që nuk janë kantiere. Rrethime që nuk janë rrethime. Ndotje e patolerueshme dhe për këtë arsye, do të bëhet edhe një ndërhyrje kuptimplotë edhe në raport me kantierët e ndërtimit për të bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi.
Ndërkohë që, ka dhe një sport tjetër që zhvillohet, sidomos në Tiranë, edhe në zona bregdetare, ku ata ndërtues apo zhvillues që marrin një leje, po ende pa u zbardhur leja, ende pa e marrë dokumentin në dorë, duke plotësuar të gjitha nevojat e ligjit, kuturisen të fillojnë të hapin gropa medemek që po bëjnë gati kantierin dhe me abuzivizëm të madh, përdoret dhe një nen, 6 a 7 për punime paraprake a deklaratë paraprake, lojëra që kanë prodhuar deri edhe pallate pa leje në fakt.
Kështu që, edhe për këtë masat që do të marrim do të jenë drastike.
Kemi menduar për gjithçka, por çuditërisht është lënë jashtë dhe dua të them dhe një gjë tjetër, në mënyrë të përsëritur, në Kuvendin e Shqipërisë ka pasur prej shumë vitesh ndërhyrje në sekondën e fundit dhe ngacmime të ligjeve që kanë pasur të bëjnë me ndërtimin e me territorin.
Ngacmime dhe ndërhyrje që kanë shkuar gjithmonë në favor të ndërtuesve dhe në disfavor të …, kjo është një histori 20 e kusur vjeçare. Ndërkohë që kemi menduar që të fusim në njerëzit përgjegjës për kantierin, të gjithë ata që janë palë me ndërtuesin, duke ja lënë mbikqyrësit që caktohet nga vetë ndërtuesi, certifikimin e gjithë procesit, kemi përjashtuar si asnjë vend tjetër i Europës, arkitektët nga e drejta e autorit faktikisht, dhe nga detyrimi për të nënshkruar deri në fund çdo proces dhe për të marrë përgjegjësinë, në raport me të drejtën e tyre të autorit dhe në raport me ligjin dhe këtë do ta përfshijmë menjëherë, ndërkohë që, do të procedojmë më pas, ose në vijim, paralelisht me krijimin e Agjensisë Kombëtare të Planifikimit dhe të Zhvillimit, si një agjenci me shtrirje në territor dhe me përfaqësi në çdo rajon, që do të thotë… që të gjitha bashkitë do ta kenë më të lehtë nga pikëpamja profesionale, nga pikëpamja e burimeve njerëzore, nga pikëpamja e asistencës teknike, përsa i përket planifikimit dhe përsa i përket zhvillimit të territorit, gjë që do të lehtësojë shumë një pjesë të madhe të bashkive të vogla, sidomos, ku është shumë e vështirë për të pasur arkitektë, dhe për të pasur inxhinierë që të qëndrojnë në ato territore, ku dhe kërkesat për lejen e ndërtimeve dhe projektet nuk janë të mëdha dhe nga ana tjetër, që të krijojmë një bazë krejt të re ndërveprimi mes komunitetit, investitorëve, zhvilluesve, pushtetit vendor dhe shtetit në tërësi. Është e domosdoshme.
Kjo do të na japë mundësinë që të kemi burime njerëzore shumë më cilësore në territor dhe do të japë mundësinë që gjithë kjo që edhe ajo ai volum pune që përqëndrohet kur vjen puna e planifikimit apo e lejeve së zhvillimit me rëndësi të veçantë në Tiranë të decentralizohet në territor me departamente me divizione urbanistike që iu shërbejnë bashkive dhe që janë pjesë e rrjetit të Agjensisë Kombëtare.
Top Channel