Jo vetëm Bundesliga dhe Serie A, Broja mund të kthehet në kampionatin ku shkëlqeu! Fituesit e Tripletës futen në garë për shërbimet e sulmuesit shqiptar

21/07/2025 11:40

Armando Broja mund të jetë përpara një kapitulli të ri në karrierën e tij, teksa katër klube jashtë Anglisë kanë shfaqur interes konkret për të.

Pas një periudhe të vështirë të mbushur me dëmtime dhe pak minuta loje, sulmuesi shqiptar i Chelsea-t është në kërkim të një transferimi që mund ta ndihmojë të rikthehet në formën më të mirë të tij.

Sipas mediave britanike, Chelsea ka hyrë në fazën e largimeve këtë verë, dhe ndonëse vëmendja është përqendruar te emra si Nicolas Jackson apo Axel Disasi, edhe e ardhmja e Brojës është një çështje e hapur. Pas një huazimi zhgënjyes te Everton sezonin e kaluar – ku luajti në 13 ndeshje pa shënuar apo asistuar – duket se ka ardhur momenti që ai të zbresë një nivel për të grumbulluar minuta dhe të fokusohet në zhvillimin personal.

Në këtë panoramë, emri i PSV Eindhoven është shtuar së fundmi në listën e klubeve që e duan. Fituesit e Tripletës dhe kampionët në fuqi të Holandës e kujton mirë periudhën e Brojës te Vitesse, ku u shfaq si një talent premtues dhe tani po konsideron seriozisht të bëjë një ofertë, sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja.

Përveç PSV-së, edhe tre klube të tjera kanë hyrë në garë për sulmuesin 23-vjeçar:

Parma në Serie A, që kërkon të zëvendësojë Ange-Yoan Bonny pas kalimit të tij te Interi;

Stuttgart në Bundesliga, në rast se humb Nick Woltemade që kërkohet nga Bayern Munich;

RB Leipzig, që po ndjek zhvillimet dhe mbetet në pritje.

Broja mbetet një lojtar me potencial të madh, por dëmtimet e përsëritura e kanë penguar që ta tregojë plotësisht. Aktualisht, prioriteti kryesor për të është të gjejë një ekip ku të luajë rregullisht dhe të rikthejë vetëbesimin.

Nëse arrin të qëndrojë i shëndetshëm dhe të gjejë një ambient të qëndrueshëm, sulmuesi kuqezi ka ende kohë për ta kthyer karrierën në drejtimin e duhur. Të gjitha ekipet që e duan ofrojnë një mundësi reale për ringritje – tani gjithçka varet nga zgjedhja e duhur dhe rikthimi në formë.

Top Channel