
Një ish-avokat i Jeffrey Epstein i bëri thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së të martën të publikojë më shumë të dhëna nga hetimi i tij në rastin e trafikimit të qenieve njerëzore të financierit dhe i kërkoi qeverisë t’i japë imunitet ish-partneres së tij në mënyrë që ajo të mund të dëshmojë për krimet e tij.
Në një intervistë me Fox News, Alan Dershowitz tha se transkriptet e jurisë së madhe, të cilat Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondy ka kërkuar të deklasifikohen, mund të mos përfshijnë llojin e informacionit që kërkojnë mbështetësit e Presidentit Donald Trump, siç janë emrat e “klientëve” të Epstein.
“Mendoj se gjyqtari duhet ta publikojë, por nuk është në transkriptin e jurisë së madhe. Kam parë disa nga ato materiale. Për shembull, ekziston një raport i FBI-së për deklaratat e supozuara të viktimave, në të cilat të paktën një nga viktimat emërton njerëz shumë të rëndësishëm”, tha ai, duke vënë në dukje se këto emra janë redaktuar.
Trump ka qenë nën presion nga mbështetësit e tij për të zbuluar më shumë informacion në lidhje me hetimin ndaj Epstein, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019 para se të fillonte gjyqi i tij.
Më herët këtë vit, Bondy kishte premtuar se departamenti do të publikonte materiale shtesë, duke përfshirë “shumë emra” dhe “shumë regjistra fluturimi”. Megjithatë, më herët këtë muaj, ajo u tërhoq, duke thënë në një memo të përbashkët me FBI-në se “nuk ka listë klientësh inkriminues” ose ndonjë tregues të zhvatjes nga Epstein. Memorandumi gjithashtu pohoi se Epstein kreu vetëvrasje dhe nuk u vra në qelinë e tij.
Pas një reagimi të ashpër nga mbështetësit e Trump, presidenti javën e kaluar urdhëroi departamentin të kërkonte deklasifikimin e transkripteve të jurisë së madhe në rastin e Epstein dhe ish-bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell. Kjo e fundit u dënua në vitin 2021 me 20 vjet burg për rolin e saj në abuzimin seksual të vajzave të mitura nga Epstein. Maxwell ka apeluar në Gjykatën Supreme.
Publikimi i transkripteve mund të mos i kënaqë mbështetësit e Trump. Është gjithashtu e mundur që gjyqtari të refuzojë kërkesën e qeverisë për t’i deklasifikuar ato.
Dershowitz tha sot se informacioni që Bondy nuk kërkoi të deklasifikohej do të ishte “shumë më informues dhe më i rëndësishëm” për çështjen. Ai gjithashtu kërkoi imunitet që Maxwell të dëshmonte në Kongres rreth krimeve të Epstein. “Ajo di gjithçka”, tha ai, duke e krahasuar atë me Gurin e Rosettës.
Top Channel