
Nigel Farage ka thënë se kryeministri Edi Rama ka pranuar të rikthejë në Shqipëri të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Lideri i partisë së djathtë Reform UK u shpreh në një konferencë se ka zhvilluar bisedime me Edi Ramën për një marrëveshje që parashikon dëbimin e të dënuarve shqiptarë nga Britania.
“Jam në bisedë me Edi Ramën nga Shqipëria, dhe mendoj se ai ka pranuar që do të marrë përsëri të gjithë të burgosurit shqiptarë në këtë vend, gjë që është mjaft pozitive”, tha ai, raporton The Telegraph.
Këto komente vijnë pas debatit disa-ditor mes Farage dhe Ramës në rrjetet sociale mbi raportin e shqiptarëve të burgosur në Britani, lidhur me numrin total të tyre në territorin britanik.
Në konferencën e sotme për shtyp, Farage tha se e gjithë platforma e tij politike do të kushtonte 17.4 miliardë paund, të cilat do të siguroheshin duke anuluar projektin hekurudhor HS2 dhe duke hequr politikën e neutralitetit klimatik. Politikani britanik gjithashtu sugjeroi se do të prezantonte një sistem “tre goditjesh” për përsëritësit e krimeve të rënda.
“Nëse dikush dënohet për më shumë se tre vepra të rënda penale, atëherë, sinqerisht, ne mendojmë se ai duhet të përballet me burgim të përjetshëm”, tha ai të hënën.
Për të krijuar më shumë hapësira në burgje, ai propozoi gjithashtu ndërtimin e “burgjeve Nightingale”, një lloj burgu të përkohshëm, të frymëzuar nga spitalet e përkohshme të ngritura gjatë pandemisë së Covid-it.
Top Channel