Dollia shqiptare shpallet Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore

21/07/2025 10:08

Dollia shqiptare është shpallur Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore.

Rituali i Dollisë prej sot njihet si Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë sonë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Dollia është një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore dhe përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare.

Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të.

Si karakteristikë e mirëfunksionimit dhe rregullave në sofër, ka qenë prania e dollibashit si i pari i tavolinës dhe përballë tij e pritësit të dollisë të cilët janë të ndryshueshëm në rolin e tyre. Marrëdhënia mes tyre ka të bëjë me urimet e ndërsjellta dhe respektin reciprok të palëve, sjellje kjo e cila demonstrohet përballë të gjithë miqve të ftuar në sofër.

Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.

Top Channel