
Kreu i Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE), Todd Lyons tha se agjentët e tij do të arrestojnë këdo që gjendet në vend ilegalisht, edhe nëse nuk ka precedent penal, ndërsa theksoi se do të merren masa të rrepta kundër kompanive që punësojnë emigrantë të paligjshëm.
Në mënyrë specifike, në një intervistë të dhënë nga Todd Lyons, drejtor ekzekutiv i ICE, për agjencinë amerikane të lajmeve CBS News, ai deklaroi se agjencia e tij do t’i japë përparësi “burimeve të saj të kufizuara” për të arrestuar dhe deportuar “më të këqijtë e më të këqijve”, siç janë ata që janë në SHBA ilegalisht dhe gjithashtu kanë precedentë të rëndë penalë.
Megjithatë, duke sqaruar se për cilët emigrantë bëhet fjalë për arrestimet, Lyons deklaroi se edhe ata që nuk kanë precedent penal, por jetojnë në SHBA pa autorizim, do të arrestohen gjatë operacioneve të ICE, duke argumentuar se shtetet që zbatojnë politikat e azilit kufizojnë agjentët e agjencisë.
“Do të preferoja të përqendroja të gjitha burimet tona të kufizuara në këtë, për t’i arrestuar ata, por ne duhet të dalim në komunitet dhe të bëjmë ato arrestime dhe aty shihet rritja e të ashtuquajturave arrestime kolaterale”, shtoi Lyons.
“Nëse ICE has dikë që ndodhet ilegalisht në vend, ne do ta marrim në paraburgim”, tha Lyons.
Vërehet se administrata Trump, ka vendosur një objektiv prej 1 milion deportimesh gjatë një viti, ndërsa ICE ka regjistruar gati 150 mijë deportime gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit të administratës së re, sipas të dhënave të brendshme qeveritare të marra nga CBS News.
Top Channel