
Një sherr me sende të forta ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku si pasojë se ka mbetur i plagosur një ish-efektiv policie.
Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat bën me dije se në këtë konflikt janë përdorur armë të ftohta, dhe se ka pasur edhe të shtëna armësh në ajër.
Ish-efektivi A.Veli mendohet se është lënduar me tytën e pistoletës.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti është dëmtuar me një send të fortë, dyshohet me tytën e një pistolete, shtetasi A. V., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Top Channel