
Diaspora mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Jo vetëm me të drejtën e votës së mundësuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, por duket se ka një plan për t’i ftuar shqiptarët e larguar jashtë të rivijnë në atdhe.
Në strategjinë kombëtare për migracionin, parashikohen lehtësim politikash për rikthimin dhe riintegrimin e emigrantëve në shoqërinë shqiptare.
Në dokumentin e punuar në bashkëpunim edhe me Organizatën ndërkombëtare të migracionit theksohet një projekt që pritet të nis në 2026 si një fushatë e gjerë informuese për mundësitë e punësimit në vend, e cila do të zgjas katër vite me institucione përgjegjëse Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Jashtme dhe përfshirjen gjithashtu të Ambasadave dhe shoqatave me vlerë rreth 70 milionë lek.
Së pari, planifikohet që deri në 2026 të jetë kryer identifikimi i kapaciteteve intelektuale dhe profesionale të emigrantëve shqiptarë. Mbi 56 milionë lek mendohen të shkojnë po ashtu për krijimin e stimujve për të promovuar kthimin e emigrantëve përkohësisht ose përgjithmonë, me qëllim transferimin e aftësive të fituara jashtë dhe për të sjellë vlera të reja kulturore në vendlindjen e tyre.
Më tej vlerësohet e nevojshme anketimi dhe konsultimi vjetor me sipërmarrësit shqiptarë që qëndrojnë jashtë vendit, për të matur nivelin e interesit të tyre për investime në Shqipëri dhe për të identifikuar pengesat kryesore që hasin institucionalisht.
E për ata që janë rikthyer kërkohet monitorimi i tyre në tregun e punës si dhe raportimi periodik në lidhje me nevojat që paraqesin në zyrat e punës, me qëllim përmirësimin e programeve të punësimit.
Top Channel