
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë shpallur të zhdukur si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që kanë goditur Korenë e Jugut prej disa ditësh, njoftoi të dielën Zyra Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive.
Ndërkohë që përpjekjet e shpëtimit janë ende në vazhdim, autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet. Mijëra persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë zona mbeten të izoluara për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë.
Sipas autoriteteve, rreth 10,000 persona janë evakuuar nga banesat e tyre që prej fillimit të reshjeve të mërkurën. Më shumë se 41,000 familje mbetën përkohësisht pa energji elektrike, ndërsa mbi 3,800 banorë nuk mund të kthehen në shtëpi për shkak të dëmtimeve serioze.
Pamjet e publikuara tregojnë banorë që ecin mes baltës në qytetin turistik Gapyeong, duke u zhvendosur drejt strehimoreve pasi rrëshqitjet e dheut dëmtuan rrugë dhe ura. Në rajonin qendror Chungcheon, një fshat i tërë u mbulua nga dheu dhe mbeturinat.
Shkatërrimet më të rënda janë regjistruar në jug të vendit, ku gjashtë persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë rezultojnë të zhdukur në zonën e Sancheong. Dy trupa të pajetë u gjetën në një qark rural të dielën në mëngjes.
Në Gapyeong, një rrëshqitje dheu shkaktoi dy viktima dhe katër persona të zhdukur. Autoritetet lokale raportuan se 63 persona janë shpëtuar, ndërsa 285 të tjerë janë evakuuar.
Qeveria ka nisur një përpjekje të përbashkët emergjente për rimëkëmbjen. Presidenti Lee Jae-myung urdhëroi shpalljen e zonave më të goditura si zona të veçanta fatkeqësie, ndërsa Ministri i Brendshëm Yun Ho-jung kërkoi nga autoritetet lokale mobilizimin e të gjitha burimeve të disponueshme.
Top Channel