Irani gati për bisedime bërthamore! Pas presionit për sanksione të reja, Teherani negocion me fuqitë evropiane

20/07/2025 15:45

Republika Islamike e Iranit, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë rënë dakord që të zhvillojnë bisedime rreth programit bërthamor iranian.

Kjo ka ardhur disa ditë pas paralajmërimit të tri fuqive evropiane se dështimi për të vazhduar negociatat do të dërgonte në rivendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit.

Lajmi mbi bisedimet e mundshme është bërë disa ditë pasi ministrat e Jashtëm të shteteve përkatëse, të njohur ndryshe edhe si “E3”, si dhe shefja për politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mbajtën diskutimet e tyre të para me homologun iranian, Abbas Araghchi, qëkur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bombarduan objektet bërthamore të Republikës Islamike një muaj më parë.

Në “E3” kanë bërë të ditur se do të rivendosin sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit deri në fund të gushtit, nëse bisedimet bërthamore që ishin në zhvillim ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve nuk rinisin ose nuk japin rezultate konkrete.

Vendet perëndimore e kanë akuzuar në vazhdimësi Iranin se po planifikon të ndërtojë armë bërthamore, akuzë që Teherani zyrtar e mohon.

Top Channel