I bëri presion studentëve për të dhuruar gjak për projekte kërkimore, pas kritikave pendohet trajnerja: Kërkoj falje!

20/07/2025 16:01

Një trajnere sportive në Universitetin Kombëtar Normal të Tajvanit (NTNU) ka kërkuar falje zyrtare pasi një hetim i brendshëm zbuloi se studentët e saj ishin vënë nën presion për të dhuruar gjak për projekte kërkimore.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike dhe ka nxitur ndërhyrjen e autoriteteve arsimore të vendit, teksa ajo nuk ka sqaruar në asnjë moment se për çfarë projekti bëhej fjalë.

Trajnerja Chou Tai-ying, 61 vjeç, u përball me kritika pasi u zbulua se, në emër të ndihmës për ekipin sportiv, ajo kishte kërkuar që studentët të merrnin pjesë në marrje të përsëritura të mostrave të gjakut që datonin që nga viti 2019.

Sipas saj, synimi ishte të ndihmonte sportistët që shpesh lëndoheshin, por nuk dihet qartë për çfarë përdorej gjaku.

Një hetim i brendshëm konfirmoi se studentët kishin dhuruar gjak një herë në ditë, dhe disa nga mostrat ishin hedhur pasi u zbulua se mënyra e mbledhjes ishte e pasigurt dhe joetike.

Çështja u bë publike fillimisht nga politikania Chen Pei-yu në vitin 2024, e cila deklaroi se studentët ishin kërcënuar me humbje kreditesh akademike nëse nuk merrnin pjesë. Ajo gjithashtu pretendoi se disa ishin detyruar të dhuronin tre herë në ditë për 14 ditë rresht, përgjatë disa viteve.

Trajnerja Chou kërkoi ndjesë publike të shtunën, duke thënë:

“Është padyshim faji im që ju bëra të ndiheni ashtu siç u ndjetë,” – u shpreh ajo përmes një deklarate ndaj studentëve, duke pranuar se kishte ushtruar “presion përmes fjalëve dhe sjelljes së saj të pamatur”.

Edhe profesori Chen Hsueh-chih, i cili udhëhoqi një nga projektet kërkimore, kërkoi falje për dëmin e shkaktuar studentëve dhe familjeve të tyre, pavarësisht qëllimit të tij për të ndihmuar atletët.

Drejtori i universitetit Wu Cheng-chi e cilësoi incidentin si pasojë të “neglizhencës institucionale” dhe premtoi rishikimin e protokolleve etike dhe procedurave mbikëqyrëse në NTNU.

Ndërkohë, Zëvendësministri i Arsimit deklaroi se rasti do të hetohet nga ministria, dhe licenca e trajneres mund të revokohet, ndonëse emri i saj nuk u përmend zyrtarisht në deklaratë.

Top Channel