
Mijëra persona morën pjesë në protesta kundër emigracionit në dhjetëra qytete të Polonisë, të organizuara nga grupi i ekstremit të djathtë Konfederacja dhe organizata të tjera nacionaliste.
Tubimi më i madh u mbajt në Katovicë, ku sipas policisë morën pjesë rreth 3,000 persona. Protestuesit kërkuan ndalimin e emigracionit të paligjshëm dhe nisjen e fushatave të deportimit, duke pretenduar se emigrantët përbëjnë rrezik për sigurinë publike.
“Pa braktisur korrektësinë politike dhe pa veprime konkrete kundër migracionit të paligjshëm, siguria do të përkeqësohet”, deklaroi bashkëkryetari i Konfederacja-s, Krzysztof Bosak, në tubimin në Bialystok.
Një minutë heshtje u mbajt në disa qytete në kujtim të një 24-vjeçareje polake të vrarë në Torun. Në lidhje me rastin është arrestuar një shtetas venezuelian, çka ka shtuar tensionet dhe ka nxitur retorikën e partive të djathta.
Në Varshavë, protestuesit u përballën me kundërprotesta vetëm pak metra larg, por nuk pati incidente të dhunshme. Sipas autoriteteve, pjesëmarrja në shumicën e qyteteve ishte e kufizuar në disa qindra persona ose më pak.
Megjithatë, shifrat zyrtare të migrimit nuk mbështesin pretendimet për një “valë migracioni të paligjshëm”. Përkundrazi, të dhënat tregojnë se migrimi në Poloni është më i ulët në vitin 2025 krahasuar me vitet e mëparshme.
Kohët e fundit, Polonia ka ashpërsuar politikat kufitare, përfshirë futjen e kontrolleve në kufijtë me Gjermaninë dhe Lituaninë, si dhe pezullimin e përkohshëm të së drejtës për azil për migrantët që hyjnë nga kufiri me Bjellorusinë. Këto masa vijnë në një klimë politike të tensionuar, ku çështja e migrimit po bëhet gjithnjë e më shumë një temë qendrore debati.
Top Channel