
Prej dy ditësh, nga porti detar i Durrësit kanë nisur lundrimet e dyfishta të trageteve, për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve që mbërrijnë në Shqipëri.
Shumica e tyre janë bashkëkombas që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, të cilët këtë periudhë e shohin si momentin më të bukur të vitit, pasi kthehen pranë familjes, për pushime në bregdet, apo dhe për gëzime familjare.
“Na pëlqen me i kalu pushimet këtu.”
“Për pushime. – Ku do i kaloni? Në Sarandë.”
“Maqedoni, Kosovë, Luginë. Gjithnjë i bëjmë pushimet në Shqipëri, po sa zbritëm nga trageti dhe do të vizitojmë familjarët njëherë”, thanë pushuesit.
Ndërkohë, nuk mungojnë as turistët e huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre për pushimet verore.
“Vij nga Holanda dhe një shoqe më tha se Shqipëria është një vend i bukur. Kam ardhur për të bërë hiking në veri.”
“Kthehem në Shqipëri për pushime, sepse është një vend i bukur dhe duam ta shijojmë detin dhe gjithçka tjetër që ofron. Këtë herë kam ardhur me familjen. Do shkojmë në Sarandë.”
“Është hera e parë që vij për pushime këtu. Kemi ardhur nga Ankona. Është po i njëjti Adriatik, vetëm se në krahun tjetër. Pres të argëtohemi shumë dhe të gjejmë ushqim të mirë”, thanë turistët e huaj.
Autoritetet portuale kanë forcuar masat organizative dhe ato të sigurisë për të menaxhuar këtë fluks. Vetëm këtë të shtunë, pritet që mbi 5000 persona të mbërrijnë përmes pesë trageteve të linjave të rregullta me Italinë.
Fluksi pritet të vazhdojë dhe në javët e ardhshme. Porti i Durrësit mbetet pika më e madhe detare e hyrjes në vend, ku mijëra udhëtarë lëvizin çdo ditë përmes mjeteve të transportit detar.
Top Channel