
Ambasadori i SHBA-së në Izrael kërkoi një hetim agresiv dhe pasoja konkrete pas rrahjes për vdekje të një palestinezo-amerikani nga kolonët izraelitë, duke ushtruar presion të rrallë publik ndaj aleatit nga administrata e presidentit Donald Trump.
Ambasadori Mike Huckabee, një mbështetës i zëshëm prej vitesh i vendbanimeve hebreje në territoret palestineze, reagoi pas një përgjigjeje fillestare të zbehtë zyrtare nga SHBA lidhur me vdekjen e Saif Musalat.
“Kam kërkuar nga Izraeli të hetojë në mënyrë agresive vrasjen e Saif Mussallet, një qytetar amerikan që po vizitonte familjen në Sinjil kur u rrah për vdekje”, shkroi Huckabee në X, duke përdorur një formë alternative të emrit.
“Duhet të ketë përgjegjësi për këtë akt kriminal dhe terrorist. Saif ishte vetëm 20 vjeç”, shtoi ai.
Musalat, i lindur dhe rritur në Florida dhe pronar i një pastiçerie akulloresh në Tampa, kishte planifikuar të kalonte verën në një zonë të Bregut Perëndimor.
Sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë, kolonët izraelitë e rrahën për vdekje të premten, në një periudhë përshkallëzimi të dhunës nga ekstremistët në Bregun Perëndimor, paralelisht me ofensivën izraelite në Gaza.
Huckabee, ish-guvernator i Arkansasit dhe i krishterë ungjillor, më parë ka mohuar ekzistencën e një pushtimi dhe ka shprehur mbështetje për vendbanimet.
Ai ka deklaruar se Izraeli ka “akt pronësie për Judea dhe Samaria,” duke përdorur një term biblik për Bregun Perëndimor.
Hakeem Jeffries, udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve nga Partia Demokrate rivale, gjithashtu kërkoi të martën në mëngjes që Izraeli të ndërmarrë veprime për vdekjen e Musalatit dhe i bëri thirrje Trumpit për një reagim më të fortë.
Top Channel