Uashingtoni i del në mbrojtje Bolsonaros, Rubio njofton se SHBA-të do t’i revokojnë vizat gjyqtarëve që drejtojnë gjyqin ndaj ish-presidentit brazilian

19/07/2025 10:47

Uashingtoni ka revokuar vizat e gjyqtarëve brazilianë që drejtojnë gjyqin e Bolsonaros

Shtetet e Bashkuara kanë revokuar vizën e gjyqtarit brazilian që kryeson gjyqin e Jair Bolsonaros, pas vendimit të tij për t’i kërkuar ish-presidentit brazilian të mbajë një byzylyk elektronik, sipas një deklarate të lëshuar nga Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio të premten.

“Gjykimi i gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Brazilit, Alexandre de Moraes, kundër Jair Bolsonaros ka krijuar një nivel persekutimi dhe censure që jo vetëm shkel të drejtat themelore të brazilianëve, por shtrihet përtej brigjeve braziliane tek amerikanët”, tha Rubio në një deklaratë.

Marco Rubio sqaroi se këto sanksione amerikane do të zbatohen për të gjithë gjyqtarët që drejtojnë gjyqin e Bolsonaros, si dhe për të afërmit e tyre të ngushtë.

Gjyqi i ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit për dyshimin e përpjekjes për një grusht shteti kundër presidentit aktual të vendit, Luiz Inacio Lula da Silva, pritet të përfundojë në javët e ardhshme. Ish-kreu i shtetit mund të përballet me më shumë se 40 vjet burg.

Përveç mbajtjes së një byzylyku elektronik, Jair Bolsonaro është gjithashtu i detyruar të qëndrojë në shtëpi natën dhe në fundjavë dhe i ndalohet të përdorë mediat sociale dhe të kontaktojë ambasadat dhe autoritetet e huaja.

Duke reaguar ndaj asaj që ai e akuzon si një “gjueti shtrigash” kundër aleatit të tij, presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi gjithashtu Brazilin javën e kaluar me vendosjen e tarifave doganore prej 50% nga 1 gushti.

Top Channel