
Barcelona ka nisur të ndjekë me kujdes situatën e sulmuesit brazilian Rodrygo Goes, i cili aktualisht është pjesë e Real Madridit, dhe është e gatshme të ndërhyjë nëse lojtari vendos të largohet nga “Los Blancos”.
Sipas të përditshmes braziliane UOL Esporte, klubi katalanas ka kontaktuar tashmë ndërmjetës të afërt me lojtarin, duke bërë të ditur interesin për të dhe gatishmërinë për të hapur bisedime zyrtare në rast se Rodrygo shpreh vullnetin për të ndryshuar ambient.
23-vjeçari ka pasur një sezon jo të lehtë me Realin. Pavarësisht kontributit të tij në disa ndeshje kyçe, ai ka përfunduar shpesh në stol, veçanërisht pas deklaratave të tij ku theksoi se preferon të luajë në krahun e majtë të sulmit — një pozicion tashmë i mbuluar nga Vinicius Jr.
Shkathtësia e Rodrygos ka bërë që ai të përdoret në disa role nga Carlo Ancelotti, por në fund të sezonit ai e mbylli me një lëndim dhe nuk ka qenë në qendër të planeve të Realit për fazën përgatitore të verës.
Nëse një transferim i tillë ndodh, do të shkaktonte tronditje në botën e futbollit, duke qenë se kalimet direkte mes Real Madridit dhe Barcelonës janë ekstremisht të rralla — rasti më i famshëm mbetet ai i Luis Figo në vitin 2000.
Për momentin nuk ka negociata të hapura, por Barcelona ka dhënë sinjale të qarta se do të veprojë menjëherë nëse Rodrygo sinjalizon dëshirën për largim.
Rodrygo ka zgjuar interes edhe nga klube të mëdha angleze si Arsenal, Manchester City dhe Liverpool. Megjithatë, interesimi i Barcelonës është ai që do të tërhiqte më shumë vëmendjen për shkak të rivalitetit të thellë mes dy klubeve.
Top Channel